Nismës Socialdemokrate në Deçan i bashkohen 100 familje
Nismës Socialdemokrate dega në Deçan i janë bashkuar 100 familje nga kjo komunë, ku prezent ishte edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi.
Krasniqi iu ka uruar mirëseardhje atyre në emër të Nismës, duke shtuar se partitë socialdemokrate janë ato që kanë bërë progres në shtetet e botës, e që sot të njëjtat janë shtete të së drejtës.
Ai ka thënë se Nisma ka zgjedhur gjuhën e kulturuar e jo të konfrontimit në zgjedhjet e 6 tetorit. Krasniqi ka theksuar se kjo gjuhë e cila ka sjellë lirinë dhe do ta sjell edhe ndërtimin e shtetit të së drejtës.
“Ne socialdemokratët e ndjekim një rrugë tjetër, ne e kuptojmë se sistemi demokratik vlerë të saj e ka konkurrencën, konkurrencën për të treguar në qeverisje, konkurrencën për të treguar në përfaqësim dhe pasi është kjo ne e kemi zgjedhur jo gjuhën e konfrontimit, jo gjuhën e akuzave, por një gjuhë më të kulturuar, një gjuhë që nuk e vret dhe nuk e fyen askënd. Pra, një gjuhë e cila thotë nëse së bashku e kemi sjell lirinë atëherë edhe së bashku duhet ta ndërtojmë shtetin e së drejtës”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi ka thënë se votën nuk e kërkon pse ai ka qenë në luftë dhe në burg, por që t’i shërbejë vendit.
Buxheti i shtetit sipas Krasniqit duhet të ndahet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit.
“Ne po e sjellim bashkë edhe me bashkëkombësit tanë që jetojnë dhe punojnë në botën e perëndimit frymën e socialdemokracisë për ta përshpejtuar ndërtimin e shtetit të së drejtës. Veç kësaj, ne konsiderojmë që parimet bazë të socialdemokracisë në nivel të botës perëndimore janë nja katër parime, parimi i lirisë, parimi i drejtësisë, parimi i barazisë dhe parimi i solidaritetit. Ne jemi të lirë si shqiptar në çdo cep të Kosovës, por duhet ta kemi edhe lirinë e mendimit, lirinë e organizimit politik dhe lirinë e shprehjes dhe mos të ndjehemi të huaj në asnjë ambient. Gjithashtu krejt lufta një shekullore që e ka bërë populli ynë është bërë për drejtësi, përpos një drejtësi shoqërore, përpos një barazi, jo ndoshta barazi në kuptimin e komunizmit të shekullit të kaluar, por përpos një barazie dhe mundësi të barabarta për punë dhe për jetë të dinjitetshme”, është shprehur Krasniqi.