Vuçiqi, Rama dhe Zaevi nënshkruajnë deklaratë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve

10 tetor 2019 | 14:44

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit në Novi Sad me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka bërë me dije se kanë ë nënshkruar deklaratën e përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Në konferencën e përbashkët për medie, Vuçiqi ka thënë se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letër-njoftime.

Ai ka thënë se me masa “më konkrete” të zbatimit të kësaj nisme, përfaqësuesit e tri vendeve do të dalin në takimin e ardhshëm, që do të mbahet në Ohër, më 10 nëntor.

Rama, në anën tjetër, ka thënë se çështjet e hapura midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’i pengojnë marrëveshjet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

“Synimi që na ka bashkuar në këtë format ka rëndësi të madhe”, ka thënë Rama, duke iu bërë thirrje të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që të bashkohen në këtë nismë.

Kurse Zaevi ka thënë se Maqedonia e Veriut e mbështet nismën, sepse “duhet të bëhet shumë më tepër për përafrimin ekonomik”.

Vuçiqi qysh më herët ka dalë me idenë e një qasjeje të përbashkët të këtyre vendeve, ngjashëm sikurse Grupi i Vishegradit, i cili përbëhet nga Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia.

Sipas Vuçiqit, të vepruarit si bllok do t’iu jepte vendeve të Ballkanit reputacion më të mirë në Evropë. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria turke ka vazhduar të enjten ditën e dytë të…