Basha reagon për padinë që Rama i bëri Haradinajt
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka dorëzuar padi kundër kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ky veprim i Ramës është turp i pakapërdishëm.
Basha ka thënë se ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.
“Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar anti-kombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës. Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar”, ka shkruar Basha.
/Epoka e re/



