Rritet numri i viktimave nga virusi i ri

02 shkurt 2020 | 13:01

Ka arritur në të paktën 304 numri i viktimave nga koronavirusi në Kinë. Autoritetet kineze kanë thënë po ashtu se edhe 14 380 raste janë të prekur nga ky virus, që ka shpërthyer në qytetin Vuhan, në provincën Hubei.

Po ashtu është shënuar edhe viktima e parë nga ky virus jashtë Kinës. Autoritetet në Filipine kanë thënë se një 44-vjeçar, kinez nga Vuhan, duket se ka qenë i infektuar me virus para se të arrinte në Filipine.

Rusia, Britania, Suedia janë në mesin e shteteve që po ashtu kanë njoftuar se kanë identifikuar rastet e para të personave të prekur nga virusi i ri.

Shtetet e Bashkuara dhe Australia kanë vendosur kufizime në udhëtimet e qytetarëve të Kinës dhe të atyre personave që kanë qëndruar në Kinë në dy javët e fundit.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Alex Azar ka deklaruar se “shtetasit e huaj do të ndalohen të hyjnë në SHBA”, nëse ata së fundmi kanë udhëtuar drejt Kinës.

Këto vendime të Uashingtonit kanë ardhur pasi më 1 shkurt, zyrtarët shëndetësorë kanë konfirmuar se tetë persona janë të infektuar nga virusi i ri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë globale pas përhapjes së virusit, që ka origjinë në Kinë.

Autoritet besojnë se virusi është shfaqur në një treg në Vuhan të Kinës.

Virusi transmetohet nga njeriu në njeri përmes grimcave që lëshohet nga kollitja dhe teshtima dhe periudha e inkubacionit të virusit, besohet se zgjatë nga një deri në 14 ditë.

Ka indikacione se virusi mund të përhapet te njerëzit para se të shfaqet ndonjë simptomë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas arritjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e…