Abbas: Shteti palestinez në planin e Trumpit është “si djathi zviceran”

11 shkurt 2020 | 19:40

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, të martën i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se bota duhet të refuzojë planin e presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, për të cilin ai tha se do të kufizojë sovranitetin palestinez në një marrëveshje të cilin ai e quajti “si djathi zviceran” – duke iu referuar enklavave izraelite brenda shtetit Palestinez dhe anasjelltas.

“Kjo është përmbledhja e projektit që na u prezantua. Ky është shteti që ata do të na japin. Është si një djathë zviceran, me të vërtetë. Kush prej jush do të pranojë një shtet të ngjashëm?”, ka pyetur Abbas, shkruajnë mediat e huaja.

Po sipas mediave të huaja, palestinezët kanë kërkuar mbështetje ndërkombëtare kundër planit, të cilin Trump e zbuloi së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në New York, Abbas tha se po fliste “në emër të 13 milionë palestinezëve për të bërë thirrje për një paqe të drejtë”.

Marrëveshja nuk do të sillte as paqe as stabilitet për rajonin, ka shtuar Abbas.

“Unë do të doja t’i them z. Donald Trump se plani i tij nuk mund të arrijë paqe dhe siguri pasi anulon legjitimitetin ndërkombëtar. Ajo anulon të gjitha të drejtat e palestinezëve. Kjo nuk i plotëson aspiratat e një zgjidhjeje dy-shtetesh”, citohet të ketë thënë ai.

“Nëse imponon një paqe të tillë, nuk do të zgjasë, nuk mund të zgjasë”, tha ai, duke pyetur: “Çfarë ju jep të drejtën të aneksoni këto toka?”.

Abbas tha se paqja me Izraelin mbetet “e arritshme” dhe tha: “Unë kam ardhur për të ndërtuar një partneritet të drejtë”.

“Kjo marrëveshje nuk është një partneritet ndërkombëtar. Ky propozim ishte nga një shtet, i mbështetur nga një shtet tjetër që do të imponohej”. /Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët nëpërmes një kumtese…