Rebelët Huthi pretendojnë se kanë goditur rafinerinë saudite të naftës ‘Rabigh’ në Detin e Kuq
Rebelët Huthi në Jemen kanë deklaruar se kanë ndërmarrë një sulm ndaj rafinerisë së naftës ‘Rabigh’ në Arabinë Saudite, në bregun perëndimor të Detit të Kuq.
Sipas pretendimeve të tyre, operacioni ka shkaktuar një goditje të drejtpërdrejtë në objekt, por deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara mbi dëmet e mundshme. Autoritetet saudite nuk kanë reaguar menjëherë lidhur me deklaratën.
Rafineria ‘Petro Rabigh’ është një kompleks i madh i përpunimit të naftës dhe prodhimit petrokimik, i zhvilluar nga kompania saudite Saudi Aramco dhe kompania japoneze Sumitomo Chemical. Ajo ndodhet rreth 165 kilometra në veri të Xhedës dhe ka dalje në objektet e eksportit në Detin e Kuq.
Huthit kanë marrë përsipër edhe më herët sulme ndaj infrastrukturës energjetike saudite, përfshirë tubacionin e naftës Lindje-Perëndim dhe rafineritë në Jazan dhe Ras Tanura. Megjithatë, autoritetet saudite nuk kanë konfirmuar sulmet e raportuara ndaj këtyre objekteve.
Përshkallëzimi i luftimeve që prej muajit korrik, në kuadër të konfliktit më të gjerë mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, është shoqëruar me shtimin e sulmeve me raketa dhe dronë nga Huthit ndaj aeroporteve dhe infrastrukturës energjetike saudite.
Ndërkohë, Arabia Saudite ka intensifikuar sulmet ajrore kundër pozicioneve të rebelëve Huthi, në mbështetje të aleatëve të saj në Jemen.



