Finale fantastike, triumfon Peja

15 shkurt 2020 | 23:09

Peja ka fituar Kupën e Kosovës në basketboll, duke mundur Golden Eagle Yllin me rezultat 64:79 (9:26, 22:21, 20:10, 13:22).

Peja e nisi ndeshjen për mrekulli, duke dominuar totalisht në mbrojtje dhe në sulm. Kjo bëri që epërsia e pejanëve të ishte e lartë. Verdhezinjtë krijuan epërsi të lartë 6:20, derisa kjo pjesë përfundoi 9:26 për Pejën. Ylli nuk u dorëzua dhe kërkoi që të shkrinte epërsinë. Skuadra therandase afroi rezultatin në 27:34, por pejanët sërish hynë në një seri, duke përfunduar pjesën e parë me rezultat 31:47. Ylli e nisi fuqishëm pjesën e dytë, duke afruar rezultatin në 45:53, e më pas edhe në 49:55, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 51:57 për Pejën. Por, në 10 minutat e fundit, Peja hyri fuqishëm, duke ngritur epërsinë në 51:63, e më pas 56:70, për të triumfuar në fund 64:79.

Te Ylli u dallua Samir Zekiqi me 20 pikë, kurse te Peja më të mirët në parket ishin Henrik Sirko me 16 pikë e nëntë kërcime, Nigel Johnson me 20 pikë e 6 kërcime  e 11 asistime dhe Drilon Hajrizi me 9 kërcime.

MVP është shpallur qendra kroate Henrik Sirko. Kupën kapitenit të Pejës, Drilon Hajrizi, ia dorëzuan kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe ministrja e MKRS, Vlora Dumoshi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot janë varrosur tre anëtarë e familjes Tola nga fshati…