Konfirmohet rasti i parë me koronavirus në Kroaci
Në Kroaci është konfirmuar rasti i parë me sëmundjen e koronavirusit të ri.
Lajmin e ka bërë me dije kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, i cili ka saktësuar se i infektuari është një burrë i ri, gjendja e të cilit është stabile.
Raportohet se ai është i shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive “Dr. Fran Mihaljeviq” në Zagreb.
Mbi 2 600 njerëz kanë vdekur në Kinë nga ky virus, që u paraqit për herë të parë në provincën kineze të Hubeit.
Numri i rasteve të prekura në botë ka kaluar tashmë 80 000.
Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka thënë të hënën se bota duhet të bëjë më shumë për t’u përgatitur për pandemi të mundshme.
OBSh-ja ka thënë se është ende herët që shpërthimi i koronavirusit të trajtohet si pandemi, por, sipas saj, vendet “duhet të jenë në fazën e përgatitjeve”.