Vitin e ardhshëm, monografia për protestën e 12 tetorit 1992

17 dhjetor 2017 | 15:20

Me iniciativë të profesor Sadik Krasniqit kanë filluar përgatitjet që të botohet një monografi për protestat e 12 tetorit të vitit 1992, e cila pritet të përfundojë kah vjeshta e vitit të ardhshëm.

Këshilli organizativ i kësaj proteste të atëhershme ka mbajtur dy takime, në të cilat është diskutuar rreth monografisë dhe synimeve që ka pasur në atë kohë kjo protestë.

Këshilli organizativ i kësaj proteste gjatë takimeve ka potencuar se veprimtaria e çështjes kombëtare të protestave të 12 tetorit 1992 do t’ju shërbejë brezave si dëshmi e rezistencës popullore të asaj periudhe kohore. Dy nga ish-organizatorët e kësaj proteste sot nuk janë në mesin tonë; Vehap Shita e Bashkim Bokshi.

NË KUJTIM TË 25-VJETORIT TË PROTESTËS GJITHËPOPULLORE TË PRISHTINËS, PËR MBROJTJEN E SHKOLLËS SHQIPE NGA OKUPATORI SERB

Gjendja në Kosovë

Ardhja e xhelatit Sllobodan Millosheviq në krye të pushtetit serb në vitet e 80-ta për shqiptarët e Kosovës ishte sinjal i keq, që paralajmëronte se për ta po vinin re të zeza, me pasoja shumë të rënda për fatet e tij dhe, vërtetë ashtu ndodhi. Ky kriminel-kryetar i “Serbisë demokratike” botërisht deklaronte:”unë do ta bëj timen me kushtetutë e pa kushtetutë, me ligj e pa ligj, me parime e pa parime …”. Ashtu veproi, në sytë e botës shkeli kushtetutën, ligjet dhe parimet. Dhe kur “populli serb i qytetëruar e demokrat” pritej ta demaskonte dhe ta dënonte për veprimet antinjerëzore, tri herë radhazi e votoi gati njëzëri për ta zgjedhur në pozitën më të lartë të “Serbisë demokratike”.
Në vitin 1989 Serbia në krye me kriminelin Millosheviq, në mënyrë arbitrare dhe të dhunshme Kosovës ia mori atë autonomi gjysmake që e kishte fituar me Kushtetutën e vitit 1974. Populli shqiptar i Kosovës e kundërshtoi fuqishëm suprimimin e autonomisë, sepse për te, kjo do të thoshte robëri klasike brenda një diktature të egër. Pasuan veprimet, si: mbyllja dhe uzurpimi i objekteve shkollore publike në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, nga ato parashkollore e deri te ato të shkollimit të lartë-universitar, duke i larguar me dhunë nga to fëmijët parashkollorë, nxënësit e shkollave fillore e të mesme dhe studentët e të gjitha fakulteteve, ndërprerja e financimit për të gjithë punonjësit shqiptarë të arsimit, pastaj largimet masovike të punonjësve shqiptarë nga puna, pothuajse nga të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet publike të Kosovës.
Si pasojë e këtyre veprimeve të okupatorit serb thellohet varfëria e popullit, duke arritur në gjendje mjerimi. Kjo gjendje e padurueshme e varfërisë dhe e poshtërimit bëri që populli të ngrihet në protesta gjithë popullore, fillojnë shpërngulje të mëdha të popullit shqiptarë nga Kosova, burgosjet, torturimet çnjerëzore dhe vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm. Shpërnguljet prekën shumë familje shqiptare, të cilat shkaktuan vuajtje të mëdha shpirtërore të dyanshme, të atyre që u larguan nga familja dhe atdheu i tyre i robëruar dhe familjarëve të tyre.
Populli shqiptarë i Kosovës mbijetoi këtë hata të zezë që na e shkaktoi Serbia okupatore, falë ndihmës solidare te vet popullit shqiptarë brenda Kosovës, e në veçanti të atyre që punonin e jetonin jashtë saj.

Organizimi dhe funksionimi paralel i sistemit arsimor në gjuhën shqipe në Kosovë, pengoi shpërnguljen e madhe të shqiptarëve

Problemi i mosfunksionimit të sistemit arsimor në gjuhën shqipe (në të gjitha nivelet) i shkaktuar qëllimisht nga organet pushtuese serb të instaluara në Kosovë, ishte shumëdimensional me pasoja jashtëzakonisht të rënda. Sistemi i arsimit përfshinte numër të madh të të rinjve kosovarë, të grupmoshave të ndryshme, një të katërtën e popullsisë, ndoshta edhe më tepër. Po e shtrij në mënyrë hipotetike vetëm njërin dimension të problemit, për mua kryesorin, po të mos vazhdonte funksionimi i sistemit shkollor në gjuhën shqipe në ato rrethana të reja siç vazhdoi, me siguri do të ndodhte zbrazja e Kosovës nga populli shqiptar dhe kështu do bëhej realizim i planeve serbe, për ta pasur Kosovën pa shqiptarë.
Megjithatë, atdhedashësit shqiptarë të Kosovës, duke i parë qëllimet djallëzore serbe, patën dije, guxim dhe forcë, e kuptuan momentit historik të fatit të tyre, u organizua dhe vendosën që me çdo kusht ta ruajnë shkollën shqipe dhe ajo funksionoi edhe jashtë objekteve tona shkollore, në shtëpitë private të popullit. Ideja e organizimit të sistemit shkollor shqip nëpër shtëpitë private gjeti përkrahje dhe u mbështet fuqishëm nga populli ynë liridashës, i cili pa hezitim, me shtëpitë e veta mundësoi funksionimin e sistemit shkollor në gjuhën shqipe. Kontribut të veçantë në këtë çështje ka dhënë Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, Sindikata e Bashkuar e Arsimit e Shkencës, pa e mohuar edhe ndihmën e vazhdueshme të parive politike në krye me LDK-ën dhe të organeve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Edhe pse na u imponua vazhdimi i mësimit jashtë objekteve tona shkollore, në shtëpi private, Institucionet tona arsimore e shtetërore nuk i ndalën asnjëherë përpjekjet dhe kërkesat e tyre (përmes protestave paqësore e formave tjera) që sa më parë rinia jonë shkollore e të gjitha niveleve të kthehet në objektet e veta shkollore. Në vargun e shumë aktiviteteve të tilla për mbrojtjen dhe ruajtjen e shkollës shqipe, e kujtojmë 25 vjetorin e Protestës së 12 tetorit 1992, në Prishtinë.

Vendimi për organizimin e protestës së 12 tetorit 1992 dhe përgatitja e saj

Me kërkesën e të gjitha institucioneve arsimore të Kosovës dhe përkrahjen e organeve arsimore të Republikës së Kosovës e të partive politike u vendos që të organizohet Protestë gjithë popullore në 7 qendrat rajonale të Kosovës. Në bazë të udhëzimeve paraprake, të përgatitura nga Enti Pedagogjik i Kosovës, u formua Këshilli Qendror Organizativ i Protestave në nivel të Republikës së Kosovës, Kryetar Prof. Dr. Agim Hyseni, Nënkryetar Halim Hyseni, prof. dhe Këshillat Organizative të Protestave për 7 regjionet e Kosovës:Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj. Secili Këshill Organizativ i Protestave kishte anëtarët e tij.

Këshilli Organizativ i Protestave i Prishtinës kishte këtë përbërje:
– Fetah Bylykbashi, prof. Kryetar, i deleguar nga LASH-i (Prof.dr.Fehni Rexhepi),
– Prof.dr.Sadik Krasniqi, Zëvendës kryetar, (Prof.dr.Jusuf Krasniqi),
– Vehab Shita, Prof. anëtarë, i deleguar nga KLDNJ
– Prof.dr. Agni Dika, anëtarë,
– Dr.Mustafë Loxha, anëtarë,
– Rexhep Maqedonci, Jurist, anëtarë, (Shaban Maliqi. Prof.),
– Prof.dr. Flamur Shala, anëtarë, (Ismet Beqiri, Prof.),
– Prof.dr.Shukri Fetahu, anëtarë, (Dr.Ukë Xhema),
– Jonuz Salihu, Prof. anëtarë. (Zenel Zeka, arsimtarë),
– Shyqeri Obertinca, Prof. anëtarë (Sahit Elshani, prof.),
– Bashkim Bokshi, Prof. anëtarë dhe
– Mr.Hashim Thaqi, Kryetar i Unionit të studentëve, anëtarë (tani President i Kosovës)
P.S. Të gjithë personat me emrat e shënuar në kllapa, kanë pasur detyrë shtesë, që në rast të arrestimit të ndonjërit nga anëtarët e K.O.P. të bëjnë zëvendësimin e tyre dhe vazhdojnë aktivitetin e planifikuar të protestës.
Të gjitha mbledhjet e K.O.P. për Prishtinë, kushtuar përgatitjeve sa më të suksesshme janë zhvilluar në Selinë e Partisë Fshatare(në shtëpinë e të njërit Akademik Ali Hadri). Gati në të gjitha ato mbledhje rregullisht ka marrë pjesë Z.Selatin Novosella, koordinator, në cilësi të anëtarit të K.Q.O.P. Vetëm njëherë ka marrë pjesë në mbledhjet përgatitore të KOP, një student i deleguar nga UPSUP.
Në kuadër të përgatitjeve të protestës Këshilli Organizativ i Protestës për Prishtinën ka caktuar këto detyra dhe bartësit e tyre:
• Prof. dr. Agni Dika-formimi i K.O. në të gjitha fakultetet, shkollat e larta,
• Z. Jonuz Salihaj-formimi i K.O. në të gjitha sh. e mesme dhe fillore në të cilat okupatori serb nuk lejonte të punohej,
• Prof. dr. Agni Dika- për shkuarjen e transparenteve në mënyrë teknike,
• Z. Rexhep Maqedonci-për sigurimin e kornizave të transparenteve,
• Secili fakultet dhe secila shkollë ka për detyrë ruajtjen dhe bartjen e transparenteve gjatë protestës, si dhe të caktoj kujdestarët që do të mbajnë rendin e mirëvajtjes së protestës. Kujdestarët kujdesën për fillimin, vazhdimin dhe përfundimin e protestë,
• Z. Rexhep Maqedonci-koordinator midis kujdestarëve në protestë dhe qendrës,
• Z. Jonuz Salihaj, Z. Shyqeri Obertinca dhe Z. Rexhep Maqedonci- për caktimin e informatorëve, për sigurimin e TV-e kamerave, Fotoaparateve, për caktimin e korrierëve dhe për sigurimin e saktësisë se kush e dërgon informatën e caktuar,
• Prof. dr. Flamur Shala-për caktimin e mbledhjeve të K.O. të shkollave dhe fakulteteve dhe thirrjen e tyre,
• Prof.dr. Agni Dika-përgatit disketat e parullave për tërë Kosovën dhe për Prishtinën në tërësi,
• Të bëhet evidentimi i personelit mësimor që merr pjesë në protestë,
• Dr. Mustafë Loxha- të bëhet aktivizimi i shërbimit shëndetësorë, duke caktuar ambulanca, mjek dhe motra kujdestare, si dhe ato që do të jenë në mesin e protestueseve, duke i pasur të siguruara veturat sipas nevoje. Organizimi i mjekeve dhe i motrave është bërë sipas degëve dhe nëndegëve. Është formuar lista e ambulantave kujdestare për ditën e protestave,
• Z. Jonuz Salihaj-caktohet udhëheqës për shkolla të mesme dhe ndihmon në formimin e K.O. për secilën sh.mesme,
• Leximi i kërkesave ditën e protestës do të bëhet nga studentët në emër të K.O.P, për Prishtinë,
• Katër degët e LDK-ës kanë sjellë listën e veturave që do të kujdestarojnë ditën e protestës,
• Z. Flumur Shala, raporton se çështja e ambulancave, e mjekve dhe e veturave do të mbetet punë e 4 degëve të LDK-ës.
• Shpërndarja e pankartave është bërë nga shtëpia e z. Rexhep Maqedonci, Rr.Splitit, nr.20
• Shyqeri Obertinca, sigurimi i megafonit, kush do të jetë me kamera, e kush me fotoaparat dhe caktimi i informatorëve, e sjellja e informatave do të bëhet në:Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lidhjen e Arsimtareve Shqiptarë, Partinë Fshatare dhe në Organet e caktuara arsimore,
• Partitë politike të mbajnë mbledhje të rregullta për çdo ditë që të ndikojnë në rritjen numrit të pjesëmarrësve në protestën gjithë popullore.

Ditën e protestës më 12 tetor 1992, në Prishtinë

Këshilli i Protestës ka miratuar këtë marshutë: nisja nga objektet e uzurpuara shkollore, tubimi qendror në oborrin Fakultetit Filologjik. Protesta do të mbahej nga ora 12.00-13.00. Nga ora 12.00 demonstruesit do të qëndronin para F. Filologjik, ku do t’i shpalosnin pankartat e përgatitura më herët, kurse prej orës 12.30 deri në ora 13.00 demonstruesit do të parakalonin rrugës qendrore të Prishtinës deri te Teatri.
Atë ditë të gjitha rrugët e Prishtinës qonin në drejtim të Fakultetit Filologjik, në oborrin e të cilit do të mbahet tubimi qendror protestues. Para ardhjes në oborrin e Fakultetit Filologjik nxënës, studentët dhe mësimdhënësit e të gjitha shkollave dhe të fakulteteve të Prishtinës janë tubuar para shkollave dhe fakulteteve të tyre kanë tentuar të hyjnë brenda, por pa sukses, meqë ata u penguan nga policia e okupatorit serb. Pas kësaj, kolonat e gjata të nxënësve, studentëve, mësimdhënësve nga të gjitha shkollat dhe fakultetet e Prishtinës, të cilave iu bashkuan edhe qytetarët shqiptarë, u nisën drejt platesë së Fakultetit Filologjik, nga të gjitha rrugët e kryeqytetit. Pjesëmarrësit vinin të qetë dhe nuk iu nënshtruan asnjë provokimi. Organizatorët dhe të tubuarit mbanin vetë rendin dhe rregullin.
Rreth orës 11.30 minuta filluan të arrijnë kolonat e para të protestuesve në oborrin e Fakultetit Filologjik, ndërsa në orën 12.00 u mbulua jo vetëm oborri i këtij Fakulteti, por edhe tërë hapësira e sheshit deri te ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Në shkallët dhe platenë e F. Filologjik ishin të gjithë anëtarët K.O.P. të Prishtinës. Nga K.Q.O.P. për Kosovë, bashkë me ne murrën pjesë: Halim Hyseni, nënkryetar, Abdyl Rama, anëtar dhe Mujë Rugova, anëtar, ndërsa nga Këshilli rezervë, muarën pjesë:Ismat Beqiri, Sahit Berisha dhe Shaban Maliqi. Pa pritur përjetuam surprizë të këndshme, se në mesin tone, në shkallët e F. Filologjik erdhi Baca Adem Demaçi, Mandela i Kosovës. Pjesëmarrësit me qëndrimin e tyre krijuan atmosferë madhështore dhe dëshmuan se nga kërkesat e tyre paqësore për lirimin e lokaleve shkollore nuk heqin dorë.
Pjesëmarrësit e protestës, para orës 12, i shpalosën pankartat e përgatitura dhe filluan të brohorasin parullat për mbrojtjen e shkollës shqipe dhe për ndërprerjen e aparteidit ndaj saj. Secila parullë brohoritej në kor dhe shoqërohej me duartrokitje të gjata. Përfaqësuesi i Unionit të Pavarur të studentëve të Universitetit të Prishtinës, i lexoi kërkesat tani më të njohura, siç ishin:
• Që menjëherë të hapen objektet e institucioneve shkollore, shkencore dhe kulturore për nxënësit, studentët dhe mësimdhënësit shqiptarë;
• Që menjëherë të hapen të gjitha konviktet e nxënësve dhe studentëve për nxënësit dhe studentët shqiptarë;
• Që menjëherë të hiqen masat e dhunshme nga institucionet e arsimit, shkencës dhe të kulturës në Kosovë;
• Që menjëherë të kthehen të gjitha mjetet financiare, pajisjet dhe mjetet mësimore të plaçkitura nga organet e dhunshme dhe regjimi serb;
• Që menjëherë të ndërpriten të gjitha format e represionit, segregacionit, aparteidit dhe gjenocidit ndaj nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve shqiptarë;
• Që menjëherë të merren në përgjegjësi të gjithë ata që morën pjesë në shkatërrimin e sistemit arsimor në gjuhën shqipe në Kosovë;
• Që menjëherë të lirohen nga burgu dhe të ndërpriten ndjekjet ndaj të gjithë veprimtarëve të arsimit shqip në Kosovë.
• Që UNESKO, organizatat, institucionet dhe përgjithësisht bashkësia ndërkombëtare të ushtrojnë ndikim që të pushojë dhuna mbi shkollën shqipe në Kosovë.
Pas 10 minutave të fillimit të protestës, prapa anëtarëve të K.O.P. u afrua një kryepolic serb, i cili me kërcënim kërkoi nga Fetah Bylykbashi, kryetar i Këshillit organizativ të protestës për Prishtinën, me këto fjalë: “Të urdhërojmë ty që ta urdhërosh masën e tubuar të shpërndahet”, përgjigjja ishte po aq kategorike: “Ne kemi programin tonë dhe do të veprojmë sipas tij”, kjo kërkesë e kryepolicit serb, pas një intervali të shkurtër kohor u përsërit edhe njëherë dhe mori të njëjtën përgjigje. Përkundër kësaj, tubimi vazhdoi sipas programit të paraparë.
Në ora 12.30 protestuesit në ballë të të cilëve qëndronte K.O.P. për Prishtinën, filluan parakalimin në rrugën kryesore, në drejtim të qendrës së qytetit, por në afërsi të ish Bankkosit dhe të Hotel Grandit, hasëm në forca të mëdha policore dhe ushtarake serbe, të cilat nuk lejonin marshimin e protestueseve drejt qendrës së qytetit. Aty u zhvillua një përleshje mes dy palëve kundërshtare dhe një dialog i ashpër midis forcave policore dhe Bacës Adem Demaçi i cili atyre u tha: ”rruga është e jona dhe e juaja, ju nuk keni të drejtë të na ndaloni” dhe ashtu u bë, ata u larguan nga rruga dhe ne vazhduam marshimin deri në afërsi të ish hotelit “Bozhur”.
Aty u paraqit pengesa tjetër me forca policore edhe më të mëdha për të penguar marshimin e paraparë. Sipas informacioneve që na vinin nga aktivistët tanë, tani rreziku ishte shumë i madh se mund të kishte edhe gjakderdhje, të cilën gjë K.O.P. nuk e ka pasur të lejuar, bazuar në instruksionet e miratuara që:”të mos shkaktohet gjakderdhje”. Duke pasur parasysh këto instruksione, K.O.P. për Prishtinën, në pajtim me anëtarët e K.Q.O.P. për Kosovën vendosi që të ndërpritet protesta, të cilës, në të vërtetë, pas pak minutash do t’i kalonte kohëzgjatja e paraparë. Me këtë vendim nuk u pajtua Baca Adem Demaçi, i cili nuk ka qenë i informuar për instruksionet e KOP-it.
Për mbrojtjen dhe lirimin e shkollës shqipe, në tërë Kosovën protestuan mbi 600.000 protestues, ndërsa në tubimin qendror, që u mbajt para Fakultetit Filologjik të Prishtinës, murrën pjesë mbi 100.000 veta. Okupatori serb edhe me këtë rast tregoi gjithë brutalitetin e vet, duke rrahur, plagosur dhe burgosur protestues të qetë. Protesta ishte dëshmi e organizimit, disiplinës dhe e vendosmërisë së paluhatshme të protestueseve dhe dëshmoi se shqiptarë asnjëherë dhe me asnjë kusht nuk do të heqin dorë nga shkollimi i tyre në gjuhën amtare.
Më 13 tetor 1992 vazhdoi protesta para të gjitha objekteve të uzurpuara, duke filluar në ora 12. Detyrë e kësaj date ishte që Rektori, dekanët, drejtorët shkollave të mesme e fillore t’ua dorëzojnë organeve të dhunshme tekstin e kërkesës për lirimin e objekteve shkollore, të uzurpuara nga pushteti serb.

Të gjithë anëtarët e K.O.P. për Prishtinën, kishin angazhime të caktuara pranë institucioneve të caktuara, në bashkëveprim me punëtorët e tyre, si në vijim:
1. Fetah Bylykbashi, në Gjimnazin “Sami Frashëri”,
2. Sadik Krasniqi, në Fakultetin e Kulturës Fizike,
3. Vehab Shita,
4. Agni Dika, në Fakultetin Elektro-Teknik,
5. Fehmi Rexhepi, në Fakultetin Filozofik,
6. Shukri Fetahu, në Fakultetin e Bujqësisë,
7. Jonuz Salihu, në Shkollën Teknike “Gjin Gazuli”,
8. Shyqeri Obertinca,
9. Flamur Shala, në Shkollën Teknike “28 Nëntori”,
10.Bashkim Bokshi, në Gjimnazin “Sami Frashëri”,
11.Hashim Thaqi,
12.Ismat Beqiri, në Fakultetin Juridik,
13.Rexhep Maqedonci, në Shkollën Ekonomike dhe Bujqësore,
14.Sahit Berisha, në Shkollën e Mjekësisë “Ali Sokoli”,
15.Ibrahim Makolli, në Shkollën e Makinerisë “Shtjefen Gjeçovi” dhe
16.Ukë Xhema, në Shkollën Fillore “Faik Konica”.

Analiza e dy protestave

K.O.P. i Prishtinës e ka bërë analizën e të dy protestave gjithë popullore për shkollën shqipe dhe ka vlerësuar se:
• protesta është zhvilluar mire dhe se programi i sajë është realizuar pa vërejtje,
• numri i pjesëmarrësve ishte shumë masovik,
• kujdestaria ka funksionuar për çdo lakmi me rregullin dhe disiplinën e treguar,
• më ka fascinuar qëndrimi i kryetarit dhe i Bacës Adem Demaçi, pjesëmarrja e tij e ka madhnuar protestën,
• në bazë të pohimeve Brenda dhe jashta K.O.P. vlerësohej se ky sukses i protestave është një kapital i madh për delegacionin tone në bisedime me Serbinë,
• në raport të cekët kush ka marrë pjesë në protestë, e kush jo,
• mosharmonizimi i bashkëveprimit të Rektoratit me K.Q.O.P. për Kosovë u vlerësua i dëmshëm,
• Kjo protestë zgjoi interesim të madh edhe tek bashkëqytetarët tanë që jetonin dhe punonin në shtetet e Evropës Perëndimore.
• Poashtu edhe mjetet e informimit të vendeve të ndryshme të botës i kushtuan vëmendje të caktuar këtij aktiviteti.
Gjendja e rëndë dhe e padurueshme për popullin shqiptarë të Kosovës nën okupimin klasik serb e arriti pikën e vlimit. Në skenë doli UÇK-ja dhe shpërtheu kryengritja e armatosur, e udhëhequr prej saj, e cila me guxim të jashtëzakonshëm i doli zot popullit të vet dhe pa hamendje ia drejtoi pushkën pushtuesit shekullor serb. Kjo Serbinë e tërboi tërësisht dhe krimet e saj mbi popullin e pafajshëm shqiptarë e të pambrojtur u bënë edhe më mizore e barbare, krime këto të njohura për ne e të përjetuara shumë herë edhe në të kaluarën, prej para njëqind vjetësh(1912). Për dallim nga kohët e kaluara, kur shumë nga ato reprezalje të barbarëve serbosllavë mbi popullin tonë ngelnin të pa publikuara, kësaj radhe, falë rrethanave te reja, kriminelet serb nuk arritën t’i fshehin si zakonisht të zezat e veta para botës demokratike, e cila për herë të parë u bashkua dhe u bë aleate e popullit shqiptarë të Kosovës për ta fituar lirinë, të cilën po e gëzojmë sot.

Fetah Bylykbashi, Kryetar i Këshillit Organizativ të Protestave për Prishtinën

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Buxheti i ndarë për sektorin e arsimit në Kosovë për…