Trumpi i thurë lavde Grenellit: Drejtori në detyrë më i mirë ndonjëherë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lavdëruar Richard Grenellin teksa periudha e tij si ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare po vjen drejt fundit.
Pasi që Komiteti i Senatit e avancoi republikanin John Ratcilffe si zëvendësues të Grenellit, Trumpi ka lavdëruar shefin në detyrë, që ishte pjesë e mbledhjes së kabinetit.
“Do të doja ta uroja Rick Grenellin për punën fantastike si ushtrues detyre. Nuk mendoj se do të donit të ishit i përhershëm, andaj mendoj se jeni shumë i lumtur që keni qenë ushtrues detyre. Mendoj se do të mbeteni në histori si drejtori në detyrë më i mirë ndonjëherë, në çfarëdo pozite. Andaj, shumë faleminderit Rick! Shumë faleminderit!”, ka thënë Trump në këtë takim.
Grenelli, pos ushtruesit të detyrës së shefit të Inteligjencës, është edhe ambasador i ShBA-së në Gjermani dhe i dërguari special për dialogun Kosovë – Serbi.



