Pandemia dhe izolimi rrisin problemet në shëndetin mendor
Përveç problemeve shëndetësore që Covid-19 ka sjellur për miliona njerëz në botë, është edhe një pjesë e madhe që ka përjetuar edhe probleme me shëndetit mendor, thotë psikologu Dashamir Bërxulli në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se simptomat më të shpeshta janë depresioni dhe ankthet.
Sipas tij, gjëja e parë që duhet bërë është eliminimi i frikës nga pandemia.
Leximi sa më i pakët i lajmeve për këtë virus i bën më mirë shëndetit mendor, thotë ai.
“Pandemia ka shkaktuar një pasiguri dhe një frikë të madhe te popullata. Si rezultat i kësaj, mbyllja ka qenë e menjëhershme dhe sigurisht në kuptimin e dinamikave psikologjike kjo jep një efekt të caktuar si në trupin e njeriut, si në mendje, ashtu edhe në veprimtarinë e përditshme.
Aq me tepër kur rastet e tilla të pandemisë me sa mbajmë mend neve nuk janë të njohura në Kosovë, por edhe në botë dhe nuk i kemi pasur mekanizmat ballafaques të situatave të tilla. Pra, është dashur të shpiket gjithçka nga e para, në kuptimin e ballafaqimit”, ka thënë ai.
Bërxulli ka thënë se stitucionet duhet t’i japin më shumë rëndësi shëndetit mendor dhe veçanërisht profesionit të psikologut edhe kornizës ligjore që ka të bëjë me këtë fushë, por edhe trajnimit të stafit të mëtejshëm duke bashkëpunuar ngushtë me Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.



