Qeveria po dështon në kujdesin ndaj shëndetit publik

05 korrik 2020 | 16:42

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se fatkeqësisht në Kosovë shifrat e të vdekurve dhe të infektuarve me Covid-19 po rriten me shpejtësi e situata po bëhet alarmante.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka shkruar se gjendja ka dalë krejtësisht jashtë kontrollit.

“Qeveria po dështon në kujdesin ndaj shëndetit publik, ndaj ruajtjes së jetës së qytetarëve si e drejtë absolute dhe po ashtu ka bllokuar Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 që kemi inicuar që në muajin prill”, është shprehur Nagavci.

Postimi i plotë i saj:

Të dashur qytetarë, kujdesuni për veten, virusi vret.
Fatkeqësisht në Kosovë shifrat e të vdekurve dhe të infektuarve me Covid-19 po rriten me shpejtësi e situata po bëhet alarmante.
Viktimat nuk janë vetëm numra, nuk është e rëndësishme raportimi i moshës së tyre e as se a kanë pasur dhe sëmundje tjera. Secila e secili nga ta janë jetë njerëzish, janë persona me historitë, familjet , ëndrrat e dhimbjet e tyre. Të gjitha viktimat lënë pas vetes mall e dhimbje për humbjen, ashtu si dhe brengë e dëshpërim se ndoshta kujdesi i munguar është një nga shkaqet që po i humbim .
Gjendja ka dalë krejtësisht jashtë kontrollit, Qeveria po dështon në kujdesin ndaj shëndetit publik, ndaj ruajtjes së jetës së qytetarëve si e drejtë absolute dhe po ashtu ka bllokuar Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 që kemi inicuar që në muajin prill. Ndërkaq studimet po tregojnë se Covid-19 mund të kthehet tek i njëjti person edhe pas shërimit, fatkeqësisht raste të tilla të konfirmuara për herë të dytë kemi dhe në Kosovë. Pra të gjithë jemi të rrezikuar, pa marrë parasysh moshën, dhe pasojat mund të jenë të rënda.
Në këto rrethana, më e rëndësishmja është të ruani shëndetin personal, të familjarëve dhe të gjithë atyre me të cilët keni kontakte. Ruani distancën fizike, kujdesuni për higjienën, përdorni maskat dhe shmangni qëndrimet në ambiente të mbyllura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i…