35-vjeçari nga Ferizaj vdes në QKUK, ishte në pritje të rezultatit për Covid-19
Edhe një person nga Ferizaj ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit me Covid-19 duke shënuar kështu viktimën e tretë që humbi jetën nga Covid-19 në Kosovë veç brenda pak orëve.
I riu nga Ferizaj për më pak se dy javë kishte qenë i shtrirë në spitalin e Ferizajt, ndërkohë javën e fundit ai ishte tranferuar për në QKUK për trajtim mjekësor.
Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Bekim Ademi, ka thënë për Express se në rezultatet e para për Covid-19, ky i ri, kishte rezultuar negativ. Ai ishte ritestuar në QKUK, por ka qenë në pritje të rezultatit.
“I ndjeri ka qenë i shtrirë në spitalin e qytetit për disa ditë, ndërsa në javën e fundit ka qenë i shtrirë në QKUK. Në rezultatet e para për Covid-19, ka rezultuar negativ, ndërkohë është ritestuar në QKUK prapë dhe ka qenë në pritje të rezultatit”, ka deklaruar Ademi për Express.
E lajmin për vdekjen e këtij personi e ka kumtuar edhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi
“Miq, vëllezër dhe ferizajas, sot e humbëm Bekim Palushim në luftën kundër pandemise, në moshën me të mirë, duke na trishtuar të gjithë ne që e deshëm. Te Zotit jemi, e te ai do të kthehemi. Lutemi që faqebardhë si Bekimi”, ka shkruar Bytyqi.
E ky person është viktima e tretë i cili ndërroi jetë vetëm brenda pak orëve e që dyshohet se ishte prekur nga koronavirusi. Një 32-vjeçar ka vdekur në Pejë. Edhe ai kishte qenë në pritje të Covid-19. Ndërkohë që një 70-vjeçar tjetër nga Gjilani humbi jetën si pasojë e infektimit me Covid-19 gjatë ditës së sotme.
Ndryshe, ne 24 orët e fundit ne vend u shënuan 8 viktima si dhe 237 raste të reja me Covid-19.



