Sot mblidhen katër komisione parlamentare
Në Kuvendin e Kosovës sot do të mblidhen katër komisione parlamentare.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Komisioni i Përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asocimi BE-Kosovë në Kuvendin e Kosovës dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike janë katër këto komisione që do të mblidhen sot.
Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione që do të mblidhet në orën 10:00 fillimisht do të miratohet rendi i ditës dhe procesverbalet nga mbledhjet e kaluara. Në këtë komision do të jenë përfaqësues të Inspektoratit Policor të Kosovës lidhur me kërkesën e Veton Elshanit dhe 175 zyrtarëve të tjerë policorë që janë invalidë gjatë luftës së fundit në Kosovës. Po ashtu, do të bëhet edhe shqyrtimi i projektligjit për peticione.
Ndërsa në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes që, po ashtu, do të mblidhet në orën 10:00 do të jetë shqyrtimi i raportit për vendin të Komisionit Evropian për vitin 2020 në fushën e sigurisë. Në orën 10:00 do të mblidhet edhe komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asocimi BE-Kosovë në Kuvendin e Kosovës.
Tema e kësaj mbledhje do të jetë Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2020-2024. E në orën 11:00 do të mblidhet komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku do ta shqyrtojë raportin vjetor financiar të vitit 2019, për kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” si dhe shqyrtimin e raportit vjetor të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2019 për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”.



