Lira turke shënon ngritje pas dorëheqjes të dhëndrit të Erdoganit
Monedha turke lira shënoi ngritje të vlerës pasi dhëndri i presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, dha dorëheqje nga detyra e ministrit të Financave.
Ekonomistët thanë se dorëheqja e Berat Albayrak, burrit të vajzës së madhe të Erdoganit, Esra dhe Murat Uysal, kreut të Bankës Qendrore, gjatë fundjavës janë sinjale se Turqia po pranon gabimet e politikës financiare dhe po përgatitet t’i rrisë normat e interesit, raporton AFP.
Monedha turke ka humbur gati një të tretën e vlerës së saj ndaj dollarit këtë vit dhe kishte performancën më të keqe në botë muajin e kaluar. Deri më tani autoritetet kanë refuzuar t’i ngrehin normat e interesit.
Analistët dhe mediat turke spekuluan se dorëheqja e Albayrak u nxit nga kundërshtimi i tij ndaj emërimit të ish-ministrit të Financave, Naci Agbal, të shtunën si kreu i ri i Bankës Qendrore.
Dhëndri i Erdoganit, Berat Albayrak, është konsideruar si person me ndikim. 42-vjeçari e ka shoqëruar shpesh Erdoganin në udhëtime të huaja dhe ka marrë pjesë në takimet me udhëheqësit botërorë. Agjencia “Reuters” raportoi se Erdogan e ka pranuar dorëheqjen e Albayrak.




