Gashi: Qeveria Hoti të shkojë në shtëpi

13 nëntor 2020 | 10:14

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ka mbajtur sot një konferencë për media.

Gjatë kësaj konference, deputeti Gashi ka denoncuar dy qeveritë e fundit, Kurti dhe Hoti, për siç ka thënë ai, “pa ide, pa vizion dhe pa ndjeshmëri për qytetarin e Kosovës”, në një kohë pandemie dhe kur ata kishin më së shumti nevojë, raporton “Epoka e re”.

“Sot bëhen 8 muaj, apo 245 ditë nga shfaqja e pandemisë Covid-19 në Kosovë. Shëndeti publik i popullatës po rëndohet cdo ditë me rritje të numrit të infeksioneve dhe numrit të vdekurve; kapacitetet spitalore në mungesë; ekonomia buzë kolapsit; mbyllje të bizneseve, punëtorë që mbesin pa punë çdo ditë dhe dhjetëra-mijëra familje janë zhytur në varfëri sipas Bankës Botërore”, ka thënë Gashi.

Më tej, deputeti i PDK-së ka thënë se dy partitë, LV dhe LDK, që në tetorin e vitit të kaluar mashtruan qytetarët e Kosovës me parulla boshe për “qeveri të shpresës”, janë kthyer në “mbytëse të shpresës” së qytetarëve të Kosovës.

“Jemi sot në këtë konferencë për të rikujtuar edhe propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës të para 8 muajve në vlerë prej 320 milionë euro, e njohur si “pako emergjente” për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat, që në fillim ish qeveria Kurti, e më vonë edhe kjo Hoti – e refuzuan, duke shikuar interesat e ngushta politike e partiake para interesit të qytetarëve. Me këtë rast, PDK kishte ofruar edhe 24 votat e saj për këtë pako”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se arroganca dhe injoranca e kësaj qeverie ka bërë që vendi ynë tash e sa kohë të mbetet pa pako ekonomike, e cila do t’i adresonte problemet me pandemi e ekonomi. Për me tepër, në vend se t’i ndihmojë bizneset, kjo qeveri ka vendosur ta mbyllë përsëri vendin.

Duke parë keqmenaxhimin e situatës, deputeti Gashi ka thënë se kjo qeveri duhet sa më parë të ikë. “Pra është një qeveri që duhet të shkojë në shtëpi sa më herët, sepse është e paaftë për të qeverisur dhe për ta menaxhuar pandeminë dhe ndihmuar ekonominë”,  ka thënë Gashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar ndryshim plotësimin e Programit Legjislativ…