Nëse partitë nuk merren vesh deri më 5 janar për presidentin, vendi shkon në zgjedhje në shkurt
Analisti politik Ramush Tahiri ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se prej dorëheqjes së presidentit për t’u zgjedhur president i ri duhen dy muaj.
“Pra, presidenti duhet të zgjedhet konform nenit 82 të Kushtetutës deri më 5 janar”, ka thënë Tahiri.
Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë sipas tij, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja në muajin shkurt.
“Nëse nuk zgjedhet presidenti deri më 5 janar, atëherë duhet të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje brenda 45-ditësh. Pra, i bie që nëse partitë nuk merren vesh deri më 5 janar, vendi shkon në zgjedhje në muajin shkurt”.
“Sipas asaj që unë e interpretoj Kushtetutën, presidenti i vendit duhet të zgjedhet në afat prej dy muajve, pra nga data e dorëheqjes e jo brenda gjashtë muajve qysh po thonë disa”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka treguar se konsensusi i partive politike për ta zgjedhur presidentin e ri do të siguronte stabilitet institucional.
Sipas Tahirit, nuk do të ishte mirë që vendi të shkojë në zgjedhje me ushtrues detyre të postit të presidentit.
“Dëshiroj që kjo tryezë të ketë sukses dhe partitë politike të bëjnë një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri. Zgjedhja e presidentit do të siguronte stabilitet politik edhe nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të reja. Pra, nuk do të ishte e njëjta situatë sikurse vendi të shkojë në zgjedhje me ushtrues të detyrës së presidentit”, ka deklaruar Tahiri.



