Gjermania dhuron pajisje të rëndësishme për Policinë e Kosovës

14 janar 2021 | 12:01

Policia e Kosovës ka pranuar një donacion të rëndësishëm me pajisje nga shteti gjerman. Po ashtu, muajt e fundit Gjermania i ka dhuruar Policisë së Kosovës donacion në pajisje dhe vetura në vlerë mbi gjysmë milioni euro.

Dorëzim-pranimi i donacionit në pajisje për policinë u bë nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, raporton “Epoka e re”.

Me rastin e pranimit të këtij donacioni, Mehmeti ka shprehur falënderimin e tij për popullin dhe shtetin gjerman në ndihmën e ofruar në vazhdimësi për Policinë e Kosovës.

Ai ka thënë se pajisjet e dhuruara rrisin efikasitetin e punës operacionale të Policisë së Kosovës, veçanërisht të policisë kufitare dhe kjo gjithashtu ndikon në rritjen e sigurisë për qytetarët tanë.

Mehmeti ka theksuar se Policia e Kosovës është gjithmonë mirënjohëse për ndihmën e ofruar nga partnerët tanë dhe pajisjet e ofruara sot nga shteti gjerman do të përdoren në mënyrën më të mirë.

Ambasadori Joern Rohde me këtë rast ka thënë se është një nder i veçantë të dorëzosh pajisje për Policinë e Kosovës duke nënvizuar edhe më tej mbështetjen tonë gjermane për një kohë të gjatë për ndërtimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës.

Image may contain: one or more people

Donacioni i dhuruar përfshinë 16 pajisje të shikimit natën, 8 dylbi të imazhit termik, 3 detektorë, si dhe laptopë dhe pajisje trajnimi me vlerë prej më shumë se 240.000 euro.

Në fund të vitit që lamë pas, Gjermania i dorëzoi Policisë së Kosovës 15 automjete të reja në vlerë prej më tepër se 240.000 euro dhe pajisje/njësi të certifikimit të dokumenteve për policinë kufitare me vlerë më shumë se 60.000 euro.

Vite më radhë, Policia Federale Gjermane po mbështet Policinë e Kosovës si me pajisje të rëndësishme dhe kapacitete tjera trajnuese, përfshirë edhe rolin e oficerit ndërlidhës, përderisa gjatë këtij aktiviteti u rikonfirmua se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, është…