Lumezi dhe Mehmeti diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit mes Prokurorisë dhe policisë

01 shkurt 2021 | 16:24

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim pune drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, me ç’rast kanë diskutuar për tema me interes të përbashkët institucional.

Lumezi dhe Mehmeti kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë, në funksion të fuqizimit të luftës kundër kriminalitetit.

Po ashtu, pjesë e diskutimeve në këtë takim ishte edhe koordinimi për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të sigurohet një proces i pacenueshëm, demokratik dhe me integritet.

Më këtë rast, kryeprokurori i Shtetit dhe drejtori i Policisë, kanë nënshkruar memorandum të bashkëpunimit lidhur me “Procedurën Standarde të Veprimit”, qëllimi i të cilit është specifikimi i veprimeve të përbashkëta standarde në mes të Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, ku parashihet ndërmarrja e veprimeve konkrete në të gjitha rastet që ndodhin gjatë procesit të parakohshëm zgjedhor.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi, është afër rikthimit në Gjermani, por…