Izraeli fillon lehtësimin e masave kundër pandemisë
Izraeli ka filluar me lehtësimin e masave kundër pandemisë derisa po zhvillon një fushatë të gjerë vaksinimi kundër Covid-19. Parukeritë dhe disa biznese tjera u hapën të dielën (7 shkurt).
Masat e izolimit ishin fuqizuar në muajin dhjetor të vitit 2020, pasi vendi u përballë me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus. Që nga dhjetori, më shumë se 3.4 milionë nga nëntë milionë banorët e Izraelit kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
Izraeli po vlerësohet se ka fushatën më të shpejtë në botë të vaksinimit, raporton “AFP”.
Pavarësisht nga fushata, Izraeli ka regjistruar një mesatare ditore prej 6 500 rastesh të reja me Covid-19, nga rreth 8 000 në mes të janarit.
Që nga dhjetori, masat e izolimit janë zgjatur katër herë, por janari ishte muaji më vdekjeprurës, me më shumë se 1 000 viktima.
Një pezullim i fluturimeve ndërkombëtare do të qëndrojë në fuqi deri më 20 shkurt, së bashku me mbylljen e kufijve tokësorë të Izraelit. Izraelitët e bllokuar jashtë vendit do të jenë në gjendje të kthehen përmes fluturimeve të posaçme.
Izraeli ka regjistruar gjithsej më shumë se 687 000 raste me Covid-19, përfshirë mbi 5 000 vdekje.



