ShBA-ja mesazh Rusisë, dërgon bombardues ‘B-1’ në një vend fqinj të saj
Aeroplanët bombardues amerikanë të tipit “B-1” kanë arritur të hënën në Norvegji për mision trajnues që është planifikuar për një kohë të gjatë, njoftuar forcat ajrore të ShBA-së.
“Ushtrimi me aleatët si Norvegjia na mundëson që t’i mprehim kapacitetet tona mbrojtëse përderisa e forcojmë gjithashtu edhe stabilitetin rajonal”, ka thënë gjenerali Jeff Harrigian, komandant i forcave ajrore amerikane për Evropë dhe Afrikë.
Këta aeroplanë kanë fluturuar nga një bazë ajrore në Teksas për në bazën ajrore “Orland” në pjesën qendrore të Norvegjisë. Disa ekspertë ushtarakë e kanë parë këtë veprim si mesazh të qartë të ShBA-së për Rusinë, shkruan “Fox News”.
“Kjo duket si përpjekje e përbashkët për t’i përkrahur aleatët tanë dhe për ta filluar trysninë ndaj rusëve në një mënyrë që ata e kuptojnë”, ka thënë eksperti ushtarak, Jerry Hendrix.
David Aze, reporter i revistës “Forbers” për mbrojtjen dhe hapësirën ajrore, ka shkruar: “Ekziston një gjuhë për këto operacione. Bombarduesit jo vetëm bombardojnë. Ata japin shenja, që do të thotë se përçojnë qëllime dhe, në këtë mënyrë, ushtrojnë ndikim pa shpenzuar asnjë municion.”
Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar në telefon me homologun rus, Vladimir Putin, për të diskutuar rreth një vargu të gjerë të temave për sigurinë kombëtare, përfshirë zgjatjen e një traktati për armët bërthamore.



