Drojë për luftë hapësinore: Sateliti ushtarak rus i afrohet njërit që përdoret nga Ukraina

20 tetor 2026 | 13:54

Pak pas mesnatës së 18 tetorit, pothuajse 1.000 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, një satelit ushtarak rus, i njohur si Kosmos-2612, bëri diçka jashtëzakonisht të pazakontë.

Ai iu afrua një sateliti tjetër – të regjistruar në Shtetet e Bashkuara, që operohet nga një kompani finlandeze dhe që, mes tjerash, ofron informacione të inteligjencës për Ukrainën.

Sa afër u afrua?

Sipas disa vlerësimeve, 200 metra. Ndoshta edhe më pak.

“Kjo është provokuese. Por, sipas meje, është tipike për gjërat që Rusia bën vazhdimisht”.

Incidenti ka tërhequr vëmendjen e vëzhguesve amatorë të satelitëve dhe kompanive komerciale, por edhe të agjencive perëndimore të inteligjencës, në një shkallë që nuk është parë që një kohë të gjatë.

Ky është po ashtu rasti më i fundit në një seri veprimesh gjithnjë e më përshkallëzuese që përfshijnë jo vetëm Rusinë, por edhe SHBA-në, Kinën dhe vende të tjera që operojnë në hapësirë dhe kanë kapacitete satelitore, duke nxitur frikën për një garë armatimi në hapësirë.

Ose, edhe më keq: një luftë në hapësirë, raporton REL.

“Ajo që është e re është se nuk besoj se ka pasur ndonjëherë një afrim të tillë mes dy satelitëve pa koordinim paraprak”, tha Victoria Samson, analiste e hapësirës në Fondacionin Secure World, një institut me seli në Uashington.

“Rusia mund ta bëjë këtë afrim për të ndërhyrë në transmetimin e satelitit finlandez, për ta bllokuar atë, për të përgjuar atë që po përgjon ai, për ta ngacmuar apo edhe për ta dëmtuar fizikisht”, tha ajo.

“Unë do të thosha se kjo po shihet si shqetësuese dhe agresive, me qëllime potencialisht armiqësore”, tha Douglas Loverro, ish-zyrtar i lartë për politikat hapësinore në NASA dhe Departamentin amerikan të Mbrojtjes. “Por, mendoj po ashtu se ata që po e gjykojnë situatën me gjakftohtësi besojnë se kjo është një formë sinjalizimi nga ana e rusëve. Ndërkohë, mendoj se rusët po na mësojnë se si sillemi ne”.

“Nëse është i saktë, afrimi në një distancë prej 150 metrash është jashtëzakonisht i afërt dhe nuk ka gjasa të jetë një veprim rutinë operacional”, tha Bruce McClintock, gjeneral brigade në pension i Forcave Ajrore amerikane, i cili tani është studiues i politikave hapësinore në institutin RAND. “Ky është një shqetësim i ligjshëm për sigurinë dhe mbrojtjen, por nuk duhet të përshkruhet automatikisht si sulm apo si provë e qëllimeve armiqësore”.

Trajektoret e së kaluarës

Gjatë garës hapësinore gjatë Luftës së Ftohtë, Moska dhe Uashingtoni vendosën armë në orbitë, duke testuar dhe shpërthyer pajisje bërthamore, disa prej të cilave shkaktuan dëme të mëdha në komunikimet satelitore. Shpërthimet reciproke i hapën rrugën Traktatit për Hapësirën Kozmike të vitit 1967, i cili ndaloi përgjithmonë vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë.

Traktati nuk e përjashtoi luftën kundër satelitëve, pra zhvillimin dhe vendosjen e teknologjive për të ndërprerë funksionimin ose për të shkatërruar pajisjet orbitale të vendeve të tjera. Sipas Fondacionit Secure World, gjatë Luftës së Ftohtë vendet kryen të paktën 50 teste kundër satelitëve.

Në vitet 1980, ushtria amerikane testoi raketa të lëshuara nga aeroplanë luftarakë, të cilat do të godisnin satelitët në orbitë. Por, rezultat ishin re copëzash metalike që përshkonin planetin me shpejtësi potencialisht vdekjeprurëse. Kongresi e anuloi programin.

Në vitin 2007, Kina përdori një raketë të lëshuar nga toka për të shkatërruar një satelit të vjetër meteorologjik në një lartësi prej rreth 865 kilometrash. Sipas Unionit të Shkencëtarëve të Shqetësuar, kjo ngjarje “krijoi më shumë mbetje të qëndrueshme në hapësirë se çdo ngjarje tjetër”.

Një vit më vonë, ushtria amerikane përdori sistemin e saj detar të mbrojtjes raketore, Aegis për të shkatërruar një satelit jofunksional. Në këtë rast, sateliti u shkatërrua në një lartësi më të ulët dhe mbetjet e shpërndara qëndruan në orbitë vetëm për një kohë të shkurtër.

Në vitin 2019, India befasoi komunitetin ndërkombëtar të hapësirës duke kryer testin e saj kundër satelitëve. Objekti u shkatërrua në një lartësi prej rreth 282 kilometrash mbi Tokë, në një mënyrë që, sipas ekspertëve, minimizoi jetëgjatësinë dhe përhapjen e resë me mbetje në orbitë.

Në dhjetor të vitit 2020, Rusia testoi një raketë që shkatërroi një satelit ushtarak që ishte jashtë funksionit. Testi krijoi një re mbetjesh që më vonë rrezikoi Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.

Zyrtarët amerikanë thonë se Rusia duket se ka testuar po ashtu satelitë të tipit “kukulla ruse”, të projektuar për të mbajtur satelitë më të vegjël, të cilët më pas lëshohen ndërsa ndodhen në orbitë.

Në prill të këtij viti, Rusia dërgoi gjashtë satelitë nga baza e saj e lëshimit në Plesetsk, në veri të vendit, në një orbitë të ulët të Tokës.

Një muaj më vonë, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington, pesë prej tyre manovruan në një mënyrë që u jepte mundësinë të kapnin një objekt tjetër: një satelit komercial, joushtarak, të operuar nga ICEYE, një kompani finlandeze që ofron “informacione të inteligjencës nga hapësira për Ukrainën”.

Ky satelit, i quajtur ICEYE-X36, përfshin radar me aparaturë sintetike, një teknologji që mundëson imazhe më të detajuara të sipërfaqes së Tokës dhe që mund të përdoret ditën ose natën, madje edhe në kushte me vranësira. Në një deklaratë të publikuar në maj, Forca Hapësinore e SHBA-së tha se satelitët rusë ishin pozicionuar pranë një “sateliti komercial perëndimor me radar, të përdorur nga Ukraina për inteligjencë me imazhe”, por nuk e identifikoi atë.

ICEYE, me seli në Espo të Finlandës, nuk iu përgjigj menjëherë emaileve të Radios Evropa e Lirë.

Në fund të javës së kaluar, njëri prej satelitëve ushtarakë rusë, Kosmos-2612, filloi të pozicionohej më pranë ICEYE-X36, sipas vëzhguesve që gjurmojnë satelitët.

Më pas, gjatë fundjavës, Kosmos-2612 u afrua edhe më shumë. Shumë afër.

Gjeneralmajori Michael Traut, kreu i Komandës Hapësinore të Gjermanisë, e përshkroi mjetin hapësinor rus si një satelit që po “ndiqte” satelitin ICEYE.

“Është e arsyeshme që një afrim, i paparalajmëruar, të konsiderohet shqetësues dhe potencialisht përshkallëzues”, tha McClintock, “por vetëm afërsia nuk dëshmon qëllime armiqësore apo një sulm të menjëhershëm”.

“Kjo është provokuese”

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara shkaktuan habi me një njoftim tjetër të papritur: Uashingtoni, në fakt, ka vendosur armë në hapësirë. Këto janë “armë për kontrollin e hapësirës në orbitë, të afta për të mbrojtur Forcat e Përbashkëta nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve”, tha sekretari i Forcave Ajrore të SHBA-së në një konferencë në periferi të Uashingtonit.

Për vëzhguesit e hapësirës, ky njoftim vetëm e bëri publike atë që kishte qenë e qartë për një kohë të gjatë.

“Shtetet e Bashkuara nuk e militarizuan papritur hapësirën duke pranuar se i zotërojnë këto kapacitete”, shkroi Mallory Stewart, ish-zyrtare e lartë për kontrollin e armëve në Departamentin amerikan të Shtetit. “Një garë armatimi në hapësirë ka qenë në zhvillim e sipër prej vitesh”.

Në varësi të asaj që do të ndodhë më pas me Kosmos-2612 – nëse i ndodh diçka satelitit të operuar nga Finlanda – mund të ketë arsye për një ankesë zyrtare në bazë të Traktatit për Hapësirën Kozmike.

Megjithatë, kjo do të çonte vetëm në konsultime me Rusinë, tha Scott Pace, drejtor i Institutit për Politikat Hapësinore në Universitetin George Washington.

“Finlanda do të duhej të vendoste për çdo reagim të mëtejshëm, siç është hakmarrja apo kundërpërgjigjja”, tha ai. “Veprime të tilla mund të kufizohen vetëm në fushën e hapësirës ose edhe jo”.

“Kjo nuk përbën shkelje të Traktatit për Hapësirën Kozmike, përveç rastit kur argumentohet se Rusia nuk po vepron me ‘kujdesin e duhur’ në këtë situatë”, tha Samson. “Megjithatë, ‘kujdesi i duhur’ nuk është përkufizuar asnjëherë dhe asnjë vend nuk e ka akuzuar ndonjëherë një vend tjetër se nuk vepron në përputhje me këtë parim”.

“Pa dyshim, kjo është provokuese”, tha Loverro. “Por, sipas meje, është tipike për gjërat që Rusia bën vazhdimisht: ajo afrohet gjithnjë e më shumë me kufijtë për të testuar vijat e kuqe dhe vendosmërinë e kundërshtarit. Ata mësojnë shumë nga reagimi ynë”.

“A do ta sulmojnë fizikisht satelitin? Ndoshta. Kjo, natyrisht, do të përbënte shkelje të traktatit”, tha ai. “Dhe, sigurisht, pushtimi i Ukrainës ka shkelur dhjetëra traktate”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministri për Punën, Familjen dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti,…