Palmeri dhe Vuçiqi bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi

15 mars 2021 | 20:15

I dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, bisedoi të hënën, përmes video-lidhjes, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, si dhe për pandeminë Covid-19.

Palmer tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe shtoi se ai pret që vazhdimi i dialogut të pasojë së shpejti, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Vuçiqit.

Sipas saj, Palmer tha se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor janë një nga interesat parësore të SHBA-së.

Vuçiq, në anën tjetër, citohet të ketë thënë se “Serbia është dhe do të jetë gjithmonë e përkushtuar ndaj paqes, prosperitetit dhe mirëqenies së të gjithë njerëzve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”.

“Në këtë kontekst, vendi ynë është vazhdimisht i përkushtuar ndaj dialogut, solidaritetit, projekteve dhe bashkëpunimit, që synojnë lidhjen e popujve, kulturave dhe ekonomive”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se Serbia “do të vazhdojë të mbështesë një kompromis të vërtetë dhe të qëndrueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke mbrojtur interesat e serbëve atje, si dhe duke ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë , i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur qysh në mars të vitit 2011 dhe do të duhej të përfundonte me një marrëveshje të detyrueshme gjithëpërfshirëse midis dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
70 kilogramë nargjile janë konfiskuar në Rahovec dhe Suharekë. Siç…