HRW-ja bën thirrje për zbatimin e Konventës së Stambollit

10 maj 2021 | 13:13

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që të forcojnë përpjekjet për të luftuar dhunën ndaj grave duke ratifikuar dhe zbatuar Konventën e Stambollit që synon parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

“Anëtarët e Këshillit të Evropës duhet të tregojnë se janë serioz në lidhje me përparësinë e sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha grave dhe vajzave duke zbatuar Konventën e Stambollit”, është në deklaratën e HRW-së. Konventa e Stambollit është ratifikuar nga 33 vende nga 47 sa janë anëtare të Këshillit të Evropës. Dymbëdhjetë të tjerë e kanë nënshkruar, por ende nuk e kanë ratifikuar konventën, përfshirë Ukrainën, e cila e nënshkroi atë më 2011.

Azerbajxhani dhe Rusia janë vendet e vetme anëtare të Këshillit të Evropës që nuk e kanë nënshkruar traktatin.

HRW-ja ka paralajmëruar se disa qeveri janë tërhequr ose kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga traktati ndërsa të tjerët kanë refuzuar ta ratifikojnë atë pavarësisht nga “raportet e rritura të dhunës në familje” gjatë masave të izolimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Pandemia e Covid-19 e ka nxjerrë në pah faktin se dhuna ndaj grave është një nga abuzimet më të gjera të të drejtave të njeriut, dhe një kërcënim ditor për jetën dhe shëndetin e grave dhe vajzave në të gjithë botën”, ka thënë Hillary Margolis, studiuese në HRW.

Sipas organizatës, Konventa e Stambollit “vendos standarde të fuqishme, ligjërisht të detyrueshme për qeveritë për të parandaluar dhunën ndaj të gjitha grave dhe vajzave dhe për të kërkuar përgjegjësi ndaj abuzuesve”.

HRW-ja ka vënë në dukje se traktati urdhëron mbrojtje nga format e dhunës që shpesh nuk përfshihen në legjislacionin kombëtar siç janë ngacmimi seksual ose martesa e detyruar dhe kërkon mbrojtje për të gjitha viktimat e dhunës – pavarësisht nga mosha, etnia dhe orientimi seksual.

Turqia në fillim të këtij viti vendosi të tërhiqet nga konventa. HRW-ja ka thënë se vendimi paraqet “një pengesë për të drejtat e grave në vend”.

Në vitin 2020, ministri i drejtësisë i Polonisë njoftoi se do të procedojë me tërheqjen nga konventa, ndërsa parlamentet në Hungari dhe Sllovaki bllokuan ratifikimin e saj.

Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë vendosi në 2018 që përdorimi i “gjinisë” nga konventa e bën atë antikushtetuese.

“Politikanët dhe grupet konservatore kanë pretenduar gabimisht se konventa kërcënon familjet ‘tradicionale’ dhe promovon homoseksualitetin”, kanë thënë nga HRW-ja.

Sipas organizatës, disa qeveri “pretendojnë se ligjet e brendshme sigurojnë mbrojtje për gratë dhe përgjegjësi”, ndërsa “shumë të mbijetuar vazhdojnë të përballen me stigmatizim, qëndrime shpërfillëse nga autoritetet dhe presionin shoqëror për të heshtur”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Sipas një sondazhi gati 60% e japonezëve dëshirojnë që Lojërat…