Ardita Sinani: Çështja e Preshevës të shtrohet në tavolinën e dialogut

11 maj 2021 | 11:06

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila u zgjodh në krye të kësaj komune pas një marrëveshje mes katër subjekteve politike atje ka thënë se qytetarët e kësaj komune kanë vendosur që opozita e dikurshme të jetë një qeveri e re dhe ish pushteti të jetë opozitë.

“Nga marrëveshja politike me katër partitë politike ne kemi siguruar 22 vota, ndërsa nëse e përkthejmë në vota i bie mbi 11 mijë vota. Qytetarët e Preshevës do të jenë të barabartë, do të jemi në shërbim të tyre, ata prioritet kanë ujin e pijshëm, menaxhimin e mbeturinave, po ashtu bujqësia e blegtoria do të kenë prioritet së bashku me bizneset e vogla dhe të mesme”.

Sinani si sfidë të qytetarëve të Preshevës e sheh edhe qasjen që sipas saj ka Beogradi ndaj shqiptarëve të cilët po përballen me një shpërngulje masive si dhe me probleme socio-ekonomike.

“Por, ne partnerët e koalicionit në Preshevë por edhe në Medvegjë e Bujanoc duhet t’i bashkërendojmë qëndrimet karshi Beogradit zyrtar në mënyrë që t’i parashtrojmë kërkesat tona elementare”, ka thënë Sinani, “Klan Kosova”.

Udhëheqësja e re Preshevës zgjedhjen e saj në krye të kësaj komune e sheh si historike, pasi që sipas saj me këtë fitore ka humbë ndikimi i Beogradit përmes Listës Serbe dhe përmes Shqiprim Arifit në Preshevë.

Ajo, gjithashtu ka kërkuar bashkëpunim mes përfaqësuesve të Preshevës me përfaqësuesit e Prishtinës dhe Tiranës për çështjen e dialogut duke thënë se është domosdoshmëri e kohës që çështja e Preshevës të diskutohet në tavolinën e bisedimeve.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte (e martë) do të zhvillohet përballja e tretë e…