BE do i japë Turqisë 3 miliard euro që të mbajë refugjatët në territorin e saj
Bashkimi Europian ka rënë dakord të dërgojë një tjetër fond prej 3 miliard eurosh në drejtim të shtetit turk që do të shkojnë për menaxhimin e qendrave të refugjatëve që kanë mbetur atje në tentativë për të shkuar drejt perëndimit.
Kjo është hera e dytë që Brukseli paguan Ankaranë për të menaxhuar krizën e refugjatëve, teksa një tjetër fond i tillë është paguar në vitin 2016. Lajmin e ka njoftuar kancelarja në ikje e Gjermanisë, Angela Merkel pas samitit të BE që u zhvillua ditën e djeshme.
“Bëhet fjalë për një fond shtesë prej 3 miliard eurosh dhe më pas do të shqyrtohen edhe fondet për Lebanonin dhe Jordaninë”- ka thënë kancelarja gjermane nga Brukseli.
Marrëveshja interpretohet deri diku një formë “shantazhi” drejtuar Europës, teksa presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se do të hapë dyert dhe do të lejojë kalimin e miliona refugjatëve që duan të udhëtojnë drejt Europës.
Gjithashtu, pjesë e marrëveshjes kontraversiale është dhe një vendim për të lehtësuar marrjen e lejës së punës për shtetasit turq në vendet anëtare të bashkimit Europian.
Mediat greke kanë reaguar veçanërisht keq ndaj vendimit të BE për të mos sanksionuar Turqinë e cila përgjatë provokimeve të saj në detin Egje ka dërguar me dhjetëra mijëra refugjatë në brigjet greke duke mbipopulluar qendrat e refugjatëve.
Në të shkuarën, kancelari austriak Sebastian Kurz i ka konsideruar politikat e Turqisë që përdor çështjen e refugjatëve si shkop kërcënimi, një “sulm kundër Europës”, por megjithatë ai miratoi fondin marramendës. Mbetet për t’u parë nëse Turqia do i qëndrojë besnike, zotimeve të saj për të mos lejuar kalimin e refugjatëve të paidentifikuar përpara se të mund të aplikojnë për azil nga qendrat e caktuara brenda territorit turk.
![]()



