Shoqëria civile: Kuvendi fshehurazi përzgjedhë kandidatët për gjyqtarë të Kushtetueses

24 gusht 2021 | 15:55

Shoqëria civile ka reaguar për mungesës të transparencës me rastin e propozimit të kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Komisioni i posaçëm i Kuvendit.

Përmes një reagimi për medie, disa organizata të shoqërisë civile kanë bërë me dije se komisioni i posaçëm i Kuvendit për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, i kryesuar nga deputeti Adnan Rrustemi, në mënyrë të fshehur ka zhvilluar procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

“Megjithëse në hapat fillestarë të këtij procesi më 22 Korrik 2021 (në fazën e përgatitjes së pyetjeve testuese) pjesëtarë të shoqërisë civile kishin marrë pjesë në monitorim të procesit, në fazat e mëvonshme (të testimit dhe përzgjedhjes) shoqëria civile nuk është lajmëruar fare për mbledhjet e Komisionit, megjithëse disa organizata të shoqërisë civile kishin parashtruar kërkesa dhe shprehje interesimi tek zyrtarët e Kuvendit dhe kryesuesi i Komisionit. Njëherit, vetë kryesuesi i Komisionit z. Rrustemi i kishte njoftuar të pranishmit në mbledhjen fillestare që për takimet e radhës do të informohen me kohë”, është thënë në reagim.

Organizatat e shoqërisë civile e shohim me shqetësim faktin që ky Komision injoron përfshirjen e shoqërisë civile në një proces kaq të rëndësishëm siç është përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Komisioni as nuk ka dërguar ftesa për pjesëmarrje në mbledhje të Komisionit e as nuk është përgjigjur në shprehjet e interesimit për pjesëmarrje të dërguara në adresë të tij. Kjo nuk kishte ndodhur në procesin paraprak për shqyrtimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ku shoqëria civile në mënyrë aktive kishte marrë pjesë. Ndryshimi i kësaj praktike, është i pakuptueshëm dhe pa bazë ligjore. Për më tepër, ky veprim i Komisionit prek në thelb edhe vet integritetin e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja eventuale e të cilëve do të cilësohej si jo transparente”, është thënë në reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamentit Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po kundërshton…