Mehaj në Shqipëri: Me Peleshin u zotuam për të zhvilluar forcat tona të armatosura
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka filluar sot vizitën e tij zyrtare në Shqipëri.
“Sot me emocion të veçantë, bashkë me homologun tim Niko Peleshi, parakalova pranë togut të nderit, flamurit kombëtar dhe gatitu për himnin tonë kombëtar dhe shtetëror. Vizita zyrtare në Shqipëri është vizitë në shtëpinë e vëllezërve e motrave tona”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se zotimi i tij dhe ministrit Peleshi, është se rrugëtimi i dy vendeve do të jetë i përbashkët në perspektivën zhvillimore të forcave të armatosura.
“Zotimi im dhe vllait, ministrit Peleshi, është se rrugëtimi ynë do të jetë i përbashkët në perspektivën zhvillimore të forcave tona të armatosura në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes sonë, si dhe sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë. Shqipëria ishte, për një shekull, pjesa tjetër e ndaluar e Atdheut tonë”, ka shkruar ministri Mehaj.



