Challandes: Lojtarët të fokusohen te ndeshja me Gjeorgjinë
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do t’i zhvillojë tri ndeshje kualifikuese në muajin shtator. “Dardanët” më 2 shtator përballen me Gjeorgjinë, pastaj më 5 shtator e presin Greqinë dhe tri ditë më vonë Spanjën.
Përzgjedhësi Bernard Challandes të hënën është paraqitur në konferencë për media. Trajneri zviceran ka thënë se futbollistët “dardanë” duhet ta ndërrojnë mentalitetin. “Në ditët e ardhshme do të kemi tri ndeshje të vështira dhe interesante. Nuk mund të them se për ne është fillimi i një fushate të re, pasi kemi luajtur dy ndeshje. Por, mund të them se është fillim i ri, pasi kemi pasur një periudhë të suksesshme dhe të pasuksesshme. Për mua është koha që të rindërtojmë një ekip të fortë. Nuk kemi qenë në Evropian, por duhet të marrim mësime nga ky turne. Ka ardhur koha të krijojmë një skuadër që ka vlera sikurse më herët. Është koha që të kemi një mentalitet të fortë dhe të duhur për Kosovë”, ka thënë Challandes.
“Fatkeqësisht, nuk është koha për një situatë të tillë, pasi kemi disa telashe me futbollistë. Edhe pse nuk është koha e duhur për këtë, është koha të japim një reagim. Kemi përcjellë Evropianin dhe kemi pasur mundësi të shohim gjëra të rëndësishme. Nuk kanë të bëjnë me aspektin fizik e as taktik, por me mentalitetin. Është koha që Kosova menjëherë ta ndryshojë mentalitetin dhe nëse këtë nuk e bën prej ndeshjes së ardhshme, do të kemi sërish probleme. Kjo nënkupton se unë menjëherë do të flas sonte me ekipin se duhet ta ndryshojmë mentalitetin tonë, pasi ky është fokusi im gjatë këtij grumbullimi”, ka shtuar ai.
Trajneri Challlandes ka thënë se nuk e ka mendjen te kualifikimi në Kampionatin Botëror, por te progresi i ekipit. Ai ripërsëriti se dëshiron që të ndryshohet mentaliteti te Kosova, pasi edhe Italia triumfoi në Kampionatin Evropian vetëm pasi ndryshoi mentalitetin. “Nuk e kam mendjen te kualifikimi në Kampionatin Botëror, por te progresi i ekipit. Tani në mendjen time është vetëm ndeshja me Gjeorgjinë dhe duhet të reagojmë për të dëshmuar se kemi bërë progres. Sa i përket mentalitetit, ky është ndryshimi i parë që na duhet. Ka tri vjet që jam në krye të Kosovës dhe është e qartë që jam i pakënaqur në këtë aspekt, për këtë arsye jam fokusuar te ndryshimi i mentalitetit. Falë mentalitetit, edhe Italia arriti të triumfojë në Evropian pas dështimit në Botërorin e Rusisë. Mançini ndryshimin e parë në ekip që e ka bërë ishte ndryshimi i mentalitetit”, ka deklaruar Challandes.
Trajneri Beranard Challandes foli edhe për situatën e krijuar me dy futbollistët Leart Paqarada dhe Bernard Berisha, të cilët kanë bërë me dije se nuk do të jenë pjesë e Kosovës derisa trajner të jetë Challandesi. “Leart Paqarada ka vendosur mos të vijë në ekip, sjellja e tij e ka treguar tashmë këtë. Mua më pëlqen Paqarada, por ai ka vendosur. Nëse ai konsideron se është momenti për të diskutuar, atëherë do të tentojmë të diskutojmë dhe të flasim për situatën. Është e njëjta situatë edhe me Berishën. Ai nuk ndihet mirë, por unë nuk ndryshoj. Ai dëshiron të ketë garanci për pozicionin e tij në ekip, por nuk mund t’i garantojmë askujt se mund të luajë rregullisht”, ka pohuar Challandes.
Përfaqësuesja e Kosovës të premten në mbrëmje zhvilloi edhe stërvitjen e parë për ndeshjet e muajit shtator.
/EPOKA E RE/



