Lekaj: Për Kurtin UÇK-ja është baraz me arkivat e ushtrisë dhe policisë serbe
Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka reaguar pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tregoi sot se në takimin me përfaqësuesin e palës serbe në Bruksel të mërkurën janë marrë vesh që të hapen të gjitha arkivat.
Në profilin e tij në “Facebook”, Lekaj ka shkruar se profesori i kryeministrit Kurti paska premtu me i’a dorëzu arkivat e UÇK-së Serbisë.
Sipas tij, këtë askush nuk e kishte pritur.
Postimi i plotë i Lekajt:
Kurti paska ra dakord më në fund me Serbinë dhe me njerëzit e Vuçiqit.
Ky profesori i Kurtit paska premtu me i’a dorëzu arkivat e UÇK-së, Serbisë, me dorëzu luftën, vuajtjet, heronjtë, historinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Po ndodh ajo që pak kush, as vetë ata që brohorisnin dhe gjakoseshin për Vetëvendosje, nuk e kishin menduar. Kreu dhe “profesorët” e tyre, po ia japin Serbisë në pjatë të argjendtë atë që as Beogradi i Vuçiqit, nuk e kishte imagjinuar, UÇK-në, lirinë e Kosovës.
Kurti dhe profesorët e tij e gjetën gjuhën e përbashkët me Serbinë, jo për hekurudha, jo për rrugë, jo për lëvizje të lirë, jo për njohje nga Izraeli, jo për targat e makinave, jo për drejtësi, jo për krimet e luftës, tmerret, masakrat, përdhunimet e assesi për njohjen reciproke, jo! E gjetën gjuhën e përbashkët me Serbinë për UÇK-në, për “arkivat” e UÇK-së.
Për Kurtin dhe profesorët e tij, UÇK është baraz me arkivat e ushtrisë dhe policisë serbe, vrastare dhe kriminale, është baras me vuajtjet e një populli që u shtyp, u persekutua, u vra dhe u dhunua nga Millosheviqi dhe ata që i shërbyen atij.
Kurti dhe profesorët e tij po bëjnë marrëveshje me Serbinë, por jo për drejtësi, paqe, zhvillim ekonomik dhe njohje të reja, por për UÇK-në. Jo në Shtëpinë e Bardhë, po nëpër skuta në Bruksel.
Jo për të mbrojtur vlerat e luftës. Të asaj lufte që solli lirinë, por për ta shitur atë në Serbi, me lehtësinë e atyre që nuk e deshën asnjëherë Kosovën e pavarur, me lehtësinë e atyre që nuk vendosën asnjë gur në themelet e këtij shteti, me lehtësinë, ligësinë dhe tradhtinë e atyre që ia falën Beogradit atë mbi të cilin është themeluar shteti i pavarur i Kosovës, gjaku i Dëshmorëve, Heronjve, Martirëve.
Por Albini dhe profesorët e tij, nuk e njohin as luftën, as UÇK-në, ndryshe nuk do të bënin marrëzira të tilla.
Nuk ka arkiva të UÇK-së, Albin, as nuk ka pasur ndonjëherë. E di pse? Sepse ne nuk kishim kohë për arkiva, ishim në luftë. Në luftë me ata, të cilëve ti sot u premtove arkiva të UÇK-së, përmes profesorit tënd!
Turpi qoftë i yti Albin Kurti! I yti dhe i profesorëve tu! Historia ka gjithmonë vend edhe për heronj, edhe për skutha dhe njerëz të mbrapshtë si ju, që skutave shisni gjakun e Kosovës. Ia bëtë vetes vendin në histori më në fund, si bukëshkalë të këtij vendi. Mallkimi i historisë do të bjerë mbi ju!