Raporti i BE-së nxjerr në pah dështimet e shëndetësisë në Kosovë: 40% e shpenzimeve paguhen nga xhepi i qytetarëve

04 nëntor 2026 | 23:37

Shëndetësia e Kosovës, ka shënuar hapa pozitivë për mbikëqyrjen statistikore të sëmundjeve, por dështon aty ku qytetari e ndjen më së shumti: në sigurimin e barnave esenciale, digjitalizimin e sistemit dhe mbrojtjen e xhepit të pacientëve.

Raporti i Komisionit Evropian për shëndetësi për vitin 2026, shpërfaq një kontrast të thellë mes planeve të miratuara nëpër zyre dhe realitetit të zymtë në spitale.

Në rrafshin e planifikimit dhe parandalimit, shëndetësia kosovare tregon shenja maturie. Krijimi i 49 qendrave të resurseve shëndetësore në kujdesin parësor gjatë vitit 2025 vlerësohet si një hap i qëlluar për menaxhimin e sëmundjeve kronike si hipertensioni, diabeti dhe astma. Po ashtu, është vlerësuar pozitivisht harmonizimi i mbikëqyrjes për 82 sëmundje ngjitëse sipas rekomandimeve të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe miratimin e Planit të Veprimit kundër Rezistencës Antimikrobike, i cili bazohet në qasjen ndërhyrëse “One Health”.

Megjithatë, ky sukses në monitorim zbehet përballë një rreziku real shëndetësor: rënies së shkallës së vaksinimit. Mbulimi me vaksinën rutinë MMR (fruth, rubeolë, parotit) ka rënë në mënyrë shqetësuese nga 89% në 82%. Edhe më i rëndë mbetet dështimi institucional për të integruar komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ku shkalla e vaksinimit është nën 40%, shkruan Gazeta Shneta.

Ndërkohë, jetëgjatësia në Kosovë vazhdon të jetë më e ulët se mesatarja e BE-së, ndonëse është shënuar përparim në mbijetesën e fëmijëve, sipas raportit të OKB-së për vitin 2026.

Paratë e tepërta në buxhet, barnat sërish mungojnë

Kritika më e madhe e raportit të Komisionit Evropian për shëndetësinë në Kosovë lidhet me menaxhimin financiar. Ndonëse buxheti për shëndetësi në vitin 2025 arriti në 358.8 milionë euro (3.9% e BPV-së), një pjesë e këtyre fondeve nuk u shpenzuan fare. Teksa, Lista Esenciale e Barnave është përditësuar dhe buxheti për shëndetësi është rritur, Komisioni Evropian vëren se “disa barna esenciale vazhdojnë të mos jenë rregullisht të disponueshme”.

Raporti evidenton gjithashtu se blerja e produkteve shëndetësore nuk bëhet në mënyrë të mjaftueshme dhe strategjike, duke shkaktuar shpenzime joefikase dhe rezultate më të dobëta shëndetësore.

Ky dështim në menaxhim dhe mungesa e blerjeve strategjike shëndetësore ka goditur direkt xhepin e qytetarëve. Rreth 40% e të gjitha shpenzimeve shëndetësore në Kosovë mbulohen nga vetë pacientët.

Një tjetër ngecje është digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore. Sistemi Informativ Shëndetësor (eHealth) në Kosovë vazhdon të jetë i fragmentuar, jo i plotë dhe jo plotësisht funksional.

Sipas raportit, mungojnë të dhënat elektronike shëndetësore të pacientëve, të cilat do të mundësonin përcjelljen e historikut të tyre mjekësor dhe vazhdimësinë e trajtimit. Kjo e vështirëson edhe monitorimin e performancës së sistemit shëndetësor dhe planifikimin e shpenzimeve.

Depistimi i kancerit, kontrolli i duhanit dhe shëndeti mendor

Sëmundjet kronike jongjitëse vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i vdekjeve në Kosovë.

Kosova ka një regjistër ku evidentohen rastet e kancerit, mirëpo programet e depistimit nuk zbatohen në mënyrë sistematike. Teksa, raporti evidenton se Ministria e Shëndetësisë ka miratuar Planin e Veprimit për Depistimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, por zbatimi i tij ende nuk ka filluar.

Probleme vazhdojnë të ketë edhe në kontrollin e duhanit. Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, pirja e duhanit mbetet e përhapur, ndërsa inspektimet dhe mekanizmat për zbatimin e ligjit janë të pamjaftueshëm.

Në fushën e shëndetit mendor, Kosova ende nuk e ka rishikuar ligjin ekzistues, ndërsa ligjet e reja për shëndetësinë, shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor mbeten për t’u miratuar, thuhet në raport.

Kosova ka ngecur edhe në sferën legjislative. Nuk ka përparim në harmonizimin e ligjeve për produktet medicinale njerëzore dhe veterinare me ato të BE-së, e as në vlerësimin e teknologjive shëndetësore që do të parandalonin blerjet e dëmshme ose joefikase. Po ashtu, nismat për parandalimin e abuzimit me drogën, alkoolin apo promovimin e jetës së shëndetshme janë pothuajse inekzistente.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, kjo plogështi institucionale rëndon mbi supet e shtresave më të ndjeshme: grave, pensionistëve, fëmijëve dhe personave me sëmundje kronike.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ka momente kur zhvillimet politike të një vendi nuk mund…