Edhe sot njëjtë në Jarinjë, policia mban rendin, serbët barrikadën

24 shtator 2021 | 08:55

Edhe një mëngjes i ka çelur policët e njësive speciale të Kosovës në afërsi të pikave kufitare 1 dhe 31, Jarinjë e Bërnjak. Deri në Jarinjë edhe sot mund të arrihet vetëm në këmbë.

Gjithçka ka filluar pesë ditë më parë, kur Qeveria e Kosvoës mori vendimin për reciprocitet në targa me Serbinë, duke i nxjerrë targat e përkohshme për të gjithë ato automjete që futen me targa serbe në Kosovë.

Barikadat e serbëve, si forma e moçme reagimi që nga koha e luftërave në ish-Jugosllavi, po vazhdojnë të qëndrojnë njëjtë. Rreth e rrotull tyre policët mbajnë rendin e qetësinë, duke mos lejuar asnjë eskalim, përkundër provokimeve, raporton Zëri.

Ndryshe nga tri ditët e para që ishin më të qeta, dita e djeshme lindi situata tjera nga ato që kishim parë në fillim. U raportua nga mediet serbe, më pas edhe institucionet serbe që tre protestues ishin arrestuar dhe rrahur nga policët kosovarë. Por, e gjitha kjo u demantua nga Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, 3 shoferët e kamionëve janë ndaluar për shkak të rrezikimit të komunikacionit. Por, pas verifikimit të tre shoferët janë liruar dhe janë udhëzuar të paraqiten në Stacionin policor Jugu në Mitrovicë.

Nga pala serbe është lajmëruar se tashmë në afërsi të Kosovës, në dy qytete më të mëdha nga ajo anë, Rashkë e Novi Pazar, janë vendosur forca ushtarake serbe që qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje. Forca tjera dje kanë vëzhguar vazhdimisht, teksa helikopterët janë lëshuar vetëm për furnizim me karburant.

Deri tash i gjithë spektri ndërkombëtar ka bërë thirrje për zgjidhje me dialog, teksa kryeministri Albin Kurti ka qenë decidiv duke thënë se gjendja do të jetë e njëjtë, nëse Serbia nuk fillon njohjen e targave të Kosovës. E Vuçiqi ka kërkuar katër kushte, ku hyjnë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe; forcat policore të Kosovës kur duan të futen të armatosura në veri, të marrin leje nga KFOR-i dhe komuniteti serb; licencimi i dy kompanive të shpërndarjes së energjisë elektrike në veri dhe pika e katërt ishte që në gjykimet e serbëve ku trupi gjykues ka tre gjykatës, dy të jenë serbë./Zëri/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka…