Vuçiqi shprehet i kënaqur me marrëveshjen: E konsideroj sukses të Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është deklaruar pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel lidhur me situatën e krijuar në pikëkalimet kufitare Kosovë-Serbi në Jarinjë dhe Bërnjak.
Vuçiq ka thënë se pala serbe në Bruksel ka pranuar një propozim kompromisi për de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës.
“Unë mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën jam i kënaqur dhe mendoj se është e rëndësishme për palën tonë”.
“Tërheqja e ROSU-së është parashikuar dhe është një tregues se në të ardhmen veprime të tilla të shqiptarëve do të hasin në rezistencë nga popullata serbe. Kthimi i KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 është i rëndësishëm dhe tregon se është e mundur të sigurohen garanci sigurie për serbët”, ka thënë Vuçiqi, raportojnë mediat serbe.
Duke theksuar heqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, Vuçiqi ka thënë se e cilëson sukses të madh marrëveshjen e arritur sot.
“Unë e konsideroj këtë një sukses të madh të palës sonë”, ka thënë Vuçiqi.




