Gërxhaliu: Në Fondin Sovran s’duhet të ketë politizim
Ekspertët e ekonomisë po vlerësojnë se Fondi Sovran mund të shërbejë si shpresë për rimëkëmbjen e ndërmarrjeve, por funksionimin e tij po e shohin me skepticizëm duke konsideruar se bart edhe rreziqe.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një prononcim thotë se në shumë vende të botës krijimi i këtyre fondeve ka dhënë rezultat.
Por sipas tij, rasti i Kosovës është më ndryshe, sepse ka shumë pretendues për hise në asetet shtetërore.
“Promovimi i Fondit Sovran është një mundësi, e cila duhet të analizohet, duhet të studiohet dhe në këtë drejtim besoj që vet qëllimi i Fondit Sovran është grumbullimi ose themelimi i një Fondi me mjetet e një shteti që do të jetë, në funksion të zhvillimit ekonomik. Përvojat kanë treguar që në Norvegji, Singapor apo Kuvajt kanë dhënë rezultate pozitive dhe sot njëri ndër fondet më aktive është ai i Norvegjisë që është themeluar në vitin 1994”.
“Ajo çka e karakterizon Kosovën është se nuk mund të pritet në aspektin kohor që shumë shpejtë të bëhet një dukuri e tillë duhet një harmonizim i legjislacionit, dhe ajo që duhet të na shqetësojë është se çka do të ndodhë me fatin e AKP-së, ku Qeveria llogaritë që afër 645 milionë euro të grumbulluar në Fondin e Privatizimit, do të jenë një shtyllë e Fondit Sovran, mirëpo duhet të kuptohet që AKP-ja ka probleme të shumta”.
Ai thotë se duhet kohë, ekspertizë dhe sundim të ligjit, pasi që siç thekson ai se nëse barten obligimet e AKP-së, do ta bëjë që në fillim të dështojë Fondi Sovran.
“Nëse do të kemi sundim të ligjit, stabilitet politik do të kemi ekspertizë, sepse në Fondin Sovran nuk duhet të ketë politizim por duhet të ketë profesionalizëm në një periudhë kohorë 1 deri në 2 vjeçare mund të bëhet edhe të themelohet një Fondi i tillë i cili do të jetë në funksion të zhvillimit, por duhet kohë dhe kalkulime të mira, sepse nëse do të barten obligimet e kaluara nga AKP-ja do të jetë një rrugë që në start do ta bëjë të dështojë Fondi Sovran”.
“Këto fonde financohen nga vendet vetanake, procesi i privatizimit është gjithmonë një ndër shtyllat kryesore, janë asetet tjera të cilat mund të hynë në këtë funksion, proceset e privatizimit të papërfunduara por duhet të kuptohet që një mundësi e tillë mund të jetë e mirëseardhur nëse vendi ka në dispozicion resurse natyrore”, tha Gërxhaliu.



