Paketa e financimit e mbështetur nga BE-ja do të ofrojë mbështetje për amvisëritë, NVM-të dhe bizneset e udhëhequra nga gratë

29 tetor 2026 | 13:16

Paketa e financimit deri në 21 milionë euro do të ofrojë përkrahje për amvisëri, NVM dhe biznese të udhëhequra nga gratë. Financimi do të promovojë efiçiencën e energjisë, energjinë e ripërtërishme, digjitalizimin dhe automatizimin. Paketa do të ofrojë përkrahje shtesë përmes granteve të BE-së dhe asistencës teknike

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka siguruar një paketë financimi deri në 21 milionë euro për TEB Bankën Kosovë për zgjerim të qasjes në financim të gjelbër, digjital dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.

Ky financim do t’u mundësojë amvisërive dhe bizneseve të investojnë për zgjidhje me efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtërishme, ndërkohë që do t’u ndihmojë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) të adoptojnë teknologji të gjelbra, të digjitalizojnë operacionet dhe të fusin në përdorim procese të automatizuara.

Gjithashtu, do të rrisë qasjen në financa dhe njohuri për bizneset e udhëhequra nga gratë.

Ky financimi i ri përbëhet nga katër linja krediti që targetojnë nevoja të ndryshme investuese: 6 milionë euro përmes Instrumentit për Financim të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF), për t’u mundësuar amvisërive të investojnë për rritjen e efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre, si dhe për të mbështetur investimet për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtërishme në sektorin publik.

Ky financim do të ndihmojë në rritjen e adoptimit të teknologjive të gjelbra dhe uljen e përdorimit të energjisë; 5 milionë euro përmes programit për NVM të gjelbra (SME Go Green), për t’u ndihmuar ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) të investojnë për efiçiencë të energjisë dhe të resurseve, energji të ripërtërishme dhe teknologji të tjera të gjelbra, në mënyrë që operacionet e tyre të bëhen më të qëndrueshme dhe konkurruese. Të paktën 33 për qind e këtyre investimeve pritet të jenë në zinxhirin e vlerës së agrobiznesit, ndërsa 25 për qind e NMVM-ve të mbështetura pritet të jenë të udhëhequra nga gratë; 5 milionë euro përmes programit për Kalim në Digjital (Go Digital) në Ballkanin Perëndimor, për t’u mundësuar NVM-ve investime për automatizim, digjitalizim dhe teknologji të gjelbra, si dhe për t’u ndihmuar t’i modernizojnë operacionet e tyre, të përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe të adoptojnë standardet e BE-së. Të paktën 60 për qind e këtyre investimeve do të financojnë projekte për automatizim dhe digjitalizim, dhe të paktën 60 për qind do të mbështesin ekonominë e gjelbër; 5 milionë euro përmes programit për Gratë në Biznes në Ballkanin Perëndimor, për të zgjeruar qasjen në financa dhe njohuri për NMVM-të e udhëhequra nga gratë. Ky financim do t’u ndihmojë grave ndërmarrëse të investojnë në bizneset e tyre, të forcojnë konkurrueshmërinë dhe të shfrytëzojnë mundësi të reja për rritje.

Bashkimi Evropian (BE) po e plotëson paketën e financimit me grante dhe asistencë teknike për investime të gjelbra dhe digjitale përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). BE-ja do të mbështesë edhe financimin e Grave në Biznes përmes Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+), duke përfshirë ngritjen e kapaciteteve dhe mbulimin e riskut të humbjes së parë. Nga Fondi i Bashkëpunimit Japoni-BERZH do të ofrohet asistencë teknike shtesë në kuadër të Instrumentit për Financim të Ekonomisë së Gjelbër.
Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, u shpreh se: “Qasja në financa është kritike për bizneset që duan të investojnë, të modernizohen dhe të rriten. Duke punuar me partnerin tonë të kahershëm TEB Banka, ne do t’u ndihmojmë NVM-ve në Kosovë të bëhen më të gjelbra dhe më konkurruese, ndërkohë që zgjerojmë mundësitë për gratë ndërmarrëse dhe u ndihmojmë amvisërive të përmirësojnë efiçiencën e energjisë të shtëpive të tyre dhe të ulin kostot e energjisë.”

Cihan Yilmaz, drejtor menaxhues i TEB Banka, u shpreh se: “Në TEB Banka Kosovë, jemi të përkushtuar ndaj mbështetjes së rritjes së qëndrueshme dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës. Kjo paketë e re financimi me BERZH-in përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të ndihmuar në uljen e kostove të energjisë, për t’u mundësuar bizneseve të investojnë në transformim të gjelbër dhe digjital, si dhe për ta forcuar më tej mbështetjen për gratë ndërmarrëse. Ne besojmë se investimet në qëndrueshmëri, digjitalizim dhe gjithëpërfshirje janë esenciale për zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe reziliencën. Si partner i kahershëm i BERZH-it, jemi krenarë që vazhdojmë të kontribuojmë në tranzicionin e Kosovës drejt një ekonomie më të gjelbër, më digjitale dhe më gjithëpërfshirëse, duke krijuar mundësi të reja për rritje dhe sukses për klientët tanë në të gjithë sektorët”,

Hubert Perr, udhëheqës për bashkëpunimin në Zyrën e BE-së në Kosovë, u shpreh se: “Bashkimi Evropian është krenar që po e mbështet këtë paketë financimi, e cila do t’u ndihmojë amvisërive dhe bizneseve të investojnë për një të ardhme më të gjelbër dhe më digjitale. Përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus, ne po i kombinojmë huatë e BERZH-it me grante të BE-së, asistencë teknike dhe ndarje risku për t’i zgjeruar mundësitë, për të forcuar konkurrueshmërinë dhe për të përmirësuar qasjen në financa, edhe për bizneset e udhëhequra nga gratë”.

E themeluar në vitin 2007, TEB Banka Kosovë është degë e TEB Holding, një ndërmarrje e përbashkët mes BNP Paribas dhe Grupit Çolakoğlu. Ajo ofron shërbime financiare për individë dhe biznese, me fokus në kreditimin për shitje me pakicë dhe NVM.

BERZH-i është investitor institucional kryesues në Kosovë, duke investuar pothuajse 990 milionë euro përmes 152 projekteve në vend. Shumica e këtyre investimeve janë realizuar në sektorin privat.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shkruan: Hajdin Abazi Më në fund, sikurse u njoftua dje,…