Kurti: Ushtria jonë duhet të forcohet për të siguruar paqen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës do të forcohet dhe zhvillohet për të siguruar paqen, demokracinë dhe progresin.
Në ceremoninë e betimit të 180 rekrutëve të rinj në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), “Skënderbeu” në Ferizaj, ai ka thënë se rekrutët e rinj po i bashkohen një forcë e cila po modernizohet e zhvillohet për ditë e më shumë.
“Gjenerali amerikan Douglas MacArthur, që komandoi paqësorin jugperëndimor në Luftën e Dytë Botërore, ka thënë se ‘ushtari më shumë se çdo gjë tjetër lutet për paqe’. Ushtria jonë duhet të forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin”, ka deklaruar Kurti.
Para rekrutëve të rinj ai ka përmendur sukseset e FSK-së.
“Ju tash e tuje të shërbeni në forcë e cila po modernizohet e zhvillohet për ditë e më shumë, në FSK-në e cila e bëri vendin tonë për herë të parë vend pritës të një prej ushtrimeve më të mëdha të drejtuara nga ushtria e SHBA-së ‘Defender Europe 21’ si dhe për herë të parë bëri që flamuri jonë shtetëror të valojë në kuadër të operacionit të mbështetjes së paqes në Lindjen e Mesme dhe të forcës që shtriu dorën për t’i ndihmuar misionit të NATO-s në evauukimin e qytetarëve afganë në shërbim të së mirës dhe në mbrojtje të jetës”, ka deklaruar Kurti.



