Prezantohet projekti “Law Data”, synon fuqizimin e transparencës së Kuvendit

23 nëntor 2021 | 13:40

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës të martën është prezantuar projekti “Zhvillimi i shërbimit informativ ligjor (Law Data)”.

Qëllimi i këtij projekti, financues i të cilit është Ministria e Jashtme e Norvegjisë, është fuqizimi dhe promovimi i transparencës dhe efikasitetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe institucioneve të tjera shtetërore të sundimit të ligjit në Kosovë.

Në këtë prezantim ka marrë pjesë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, zyrtarë të Kuvendit dhe të institucioneve tjera të Kosovës.

Me këtë rast, Konjufca ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës, duke shprehur mirënjohje dhe duke vlerësuar lart ndihmën e shtetit të Norvegjisë për Kosovën.

Sipas tij, ky projekt në esencë përputhet me rolin e Kuvendit, meqë ky institucion ka një rol qendror në zhvillimet politike prej miratimit të ligjeve e deri te mbikëqyrja e Qeverisë.

“Kuvendi është shtëpi e qytetarëve, ngase të zgjedhurit e tyre janë këtu dhe mendoj se duhet të jetë një shtëpi me dyer të hapura”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se ky projekt arrin të përputhet me esencën që e ka – transparencën. “Pra ky projekt ka për qëllim transparencën, sepse qytetarët duhet të kenë qasje të drejtpërdrejtë dhe shumë të lehtë në legjislacion e përfshirje. Në Kuvendin e Kosovës, deri më tani, qytetarëve u jepej një dimension i kufizuar. Qytetarët duan të dinë formën përfundimtare të ligjeve, duan të dinë se cila është ajo formë që ua rregullon jetën atyre dhe çka ata mund të përfitojnë më shumë prej demokracisë dhe legjislacionit”, është shprehur Konjufca, duke shtuar se sa më i vetëdijshëm qytetari dhe sa më afër legjislacionit, niveli i demokracisë është më i madh dhe shoqëria është me e sigurt.

Ndërsa ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, ka thënë se ky projekt ka për qëllim që të rrisë transparencën e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm të Kuvendit, pasi që, siç tha ai, ky projekt do të përfshihet edhe në institucione të tjera të Republikës së Kosovës.

“Ky është një format i ri që u mundëson monitorimin e ligjeve të gjithë atyre që janë të interesuar, rëndësinë dhe rolin e tyre në jetën e qytetarëve”, ka thënë ambasadori Grondahl.

Gjatë prezantimit, menaxheri i projektit, Kare Vollan, ka treguar se si do të funksionojë Shërbimi Informativ Ligjor – Law Data. Ai ka thënë se me anë të këtij shërbimi kushdo që dëshiron mund të shoh ndryshimet e mundshme që i bëhen një ligji. Ky projekt, sipas tij, do të realizohet edhe në zyrën e kryeministrit, në Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera shtetërore. ​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ka thënë se…