Ministri Krasniqi: Qëllim im kryesor, qeverisja e hapur
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, para anëtarëve të Komisionit për Administrate Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal, ka raportuar për të arriturat e MAPL-së, duke përfshirë punët e përfunduara që nga marrja e mandatit si ministër dhe projektet në të ardhmen.
Ministri Krasniqi ka theksuar se që nga marrja e mandatit ka pasur synim dhe qëllim kryesor qeverisjen e hapur, transparencën dhe digjitalizimin e shërbimeve.
Në këtë drejtim ai ka përmendur hartimin e planit kombëtar të veprimit për qeverisje të hapur në kuadër të Partneritetit për Qeverisje – GOP dhe platformën E-Komunat e cila synon rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në nivelin lokal.
Rasti i emërimit të nënkryetarit të komunës së Graçanicës nga radha e komunitetit shqiptar, bashkëpunimi me komunat e Republikës së Kosovës, bashkëpunimi ndërkufitar ishin temat të cilat u trajtuan në pyetjet e anëtarëve të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal.
Në çështjet e adresuara nga anëtarët e komisionit parlamentar, ministri Krasniqi është përgjigjur duke ofruar materialin e nevojshëm dhe sqarimet të cilat lidhen me këto çështje.



