AGK dhe OSBE nderojnë me mirënjohje post-mortum gazetarin Blerim Zhabari
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë sot kanë bërë ndarjen e Çmimeve Vjetore për Gazetari 2021.
Në këtë ceremoni AGK në bashkëpunim me OSBE-në i kanë ndarë mirënjohje post-mortum ‘për kontributin e çmueshëm shumëvjeçar në gazetarinë e Kosovës’ edhe themeluesit të portalit Veriu.info, Blerim Zhabari, i cili ka ndërruar jetë më 6 korrik 2021.
Njoftimin për mirënjohjen e ka pranuar sot vëllau i Blerim Zhabarit, Iliri, i cili ka shkruar në një postim në Facebook: “Sot Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK nderuan Blerimin me mirenjohje. Vella, misionin e gazetarise nuk arrite me qu deri ne fund, por veprat e tuaja ne sherbim te interest publik po lartesohen dhe nderohen. Jemi shume krenar me ty. Prehu ne paqe?”.
Kujtojmë se Blerim Zhabari ishte ndër luftëtarët më të dalluar të UÇK-së në Zonën Operative të Shalës, i cili ishte kthyer nga Zvicra për t’i kapur armët për lirinë e Kosovës.
Para se të bashkëthemelonte portalin Veriu.info së bashku me Gazmend Morinën në vitin 2013, Blerim Zhabari kishte punuar për mbi një dekadë në gazetën Zëri.



