LDK-ja e sheh të papranueshëm referendumin e një shteti tjetër në territorin tonë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abixhiku, ka reaguar rreth referendumit të Serbisë që është paralajmëruar se do të mbahet ketë të diel edhe në Kosovë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.
Të dielën, më 16 janar, Serbia mban referendumin për ndryshimin e Kushtetutës.
Qytetarët e Serbisë do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.



