Xhaçka takohet me Borrellin, bisedojnë për forcimin e unitetit
Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka pritur të martën në takim përfaqësuesin e lartë të BE-së për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë dhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Josep Borrell.
Kriza e shkaktuar nga sulmi ushtarak i paligjshëm dhe i pajustifikuar rus mbi Ukrainës dhe përballja e pasojave të saj të gjithanshme, përfshirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ishte në qendër të bisedës.
Të dy bashkëbiseduesit kanë theksuar se forcimi i unitetit dhe veprimi vendimtar mbi ndalimin e mjeteve që ushqejnë luftën janë të një rëndësie parësore.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka vlerësuar lart aksionin diplomatik të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, linjëzimin e plotë me qëndrimet e BE-së dhe masat kufizuese në praktikë dhe gatishmërinë për të pritur qytetarët e zhvendosur nga Ukraina për shkak të agresionit.
Të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord se angazhimi i BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet të demonstrohet me rrugë e mënyra, të cilat do ta bëjnë rajonin pjesë të zgjidhjeve të qëndrueshme, përfshirë në momente krizash. /Top Channel/



