Në Maqedoni uniformat policore do të jenë edhe në gjuhën shqipe
Uniformat e Policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë edhe në gjuhën shqipe, në komunat ku mbi 20 për qind e popullasisë është me shqiptarë.
Në njoftimin e Qeverisë, të publikuar të martën, 15 mars, thuhet se vendimi është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Uniformat policore në Shkup dhe në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare (gjuhën shqipe) të ndryshme nga maqedonishtja, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që përdoret nga së paku 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Vendimi hyn në fuqi në ditën e tetë nga publikimi në Gazetën Zyrtare, dhe do të fillojë të zbatohet brenda një viti nga hyrja në fuqi.
Lajmin e ka bërë me dije edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Qeveria miratoi ndryshimet në Dekretin që formalizon përdorimin e gjuhës shqipe edhe në uniformat e policisë. Një tjetër detyrë e kryer me sukses konform Kushtetutës dhe Ligjit që reflekton zbatimin e përpiktë të parimeve të barazisë si garancë e progresit të vendit tonë”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.



