Ministri i Shëndetësisë: Covid-19 është prezent dhe nuk ka kaluar

17 mars 2022 | 14:23

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka folur të enjten për procesin e vaksinimit kundër Covid-19.

Ai ka thënë se angazhimi i komunave në këtë aspekt do të ketë efekt më të madh në përmirësimin e këtij procesi, sepse siç tha ai, “Covid-19 është prezent dhe nuk ka kaluar”.

Në takimin me drejtorët e Drejtorive Komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të organizuar nga Kolegjiumi i drejtorëve të Shëndetësisë së komunave, ku temë diskutimi ishte situata në sektorin e shëndetësisë në komuna, Latifi ka theksuar rëndësinë e Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe bashkëpunimin dhe ndërlidhjen midis nivelit qendror dhe lokal.

Ai ka thënë se në Ministrinë e Shëndetësisë po punohet në shtatë shtylla, të cilat sipas tij, kanë të bëjnë me transformimin e sektorit të shëndetësisë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe i cili sistem ka në qendër të vëmendjes ka pacientin.

Duke përmendur rëndësinë e ligjeve të cilat janë në procedura të hartimit dhe shqyrtimit, ministri Latifi ka thënë se në këtë aspekt është duke u punuar fuqishëm që të përmbushet agjenda legjislative dhe të bëhet edhe Ligji për transplantim të organeve.

Theks të veçantë, ministri Latifi, vuri edhe tek funksionimi i Telemjekësisë në nivelin lokal, ku sipas tij, ky shërbim ka hyrë në funksion që nga viti 2002, ndërsa është e nevojshme të shtrihet në të gjitha qendrat rajonale shëndetësore të vendit.

Ndërkaq, drejtorët e Drejtorive komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u zotuan për bashkëpunim me nivelin qendror, duke përmendur gjithashtu edhe sfidat edhe problemet me të cilat ata po ballafaqohen, përfshirë edhe resurset humane të kufizuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina është skuadra e vetme pa humbje në elitën e…