Vuçiq: Serbët kanë kërkuar që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës
Serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet në komunat në Serbinë qendrore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, deklaroi të martën presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në një konferencë për media, pas takimit me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me amabasadorët e QUINT-it në Serbi.
Ai tha se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.
Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.
“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiq.
Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiq, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që “435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë”.
Vuçiq theksoi se edhe “njerëzit nga jugu” u pajtuan me këtë “për herë të parë”, të udhëhequr nga zëvendëskryetari i Listës Serbe, njëherësh kreu i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.
“Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.



