Miratohet Projektligji për zyrtarët publikë, deputetët lejohen t’i kryejnë punën e tyre në universitet
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin e ligjit për zyrtar publikë.
Ky projektligj është votuar me vota unanime në këtë komision.
Me projektligjin e ri, deputetët lejohen ta kryejnë punën e tyre në fakultete.
Fillimisht, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se bazuar në këtë dispozitë ligjore deputetët e zgjedhur janë të detyruar të pezullojnë punën e tyre në fakultet sepse janë konsideruar nëpunës publikë.
“Projektligji për ndryshimin e ligjit për zyrtarë publikë ka për qëllim ndryshimin e ligjit për zyrtarët publikë. Projektligji me nismën e 6 deputetëve përbëhet nga dy nene, i cili nuk do të shkaktojë implikime shtesë. Si zyrtarë publikë janë përcaktuar nëpunësit publikë. Bazuar në këtë dispozitë ligjore deputetët e zgjedhur janë të detyruar të pezullojnë punën e tyre në fakultet sepse janë konsideruar nëpunës publikë. Personeli akademik në marrëdhënie pune mund të jetë në ndonjë institucion tjetër”.
“Në situatën aktuale deputetët nuk mund të kenë më shumë se 6 orë në universitet e arsimit të lartë. Stafi akademik që merr mandatin e deputetit shkakton problem në zëvendësimin e tij në vendin e punës. Pasojat e lëvizjes së profesorëve i bartë vetëm institucioni publik. Kemi konsideruar që kjo pjesë të ndryshohet dhe të trajtohet në plotëni edhe me dy projektligje tjera. Kur të vjen si tërësi donë me shumë kohë”, ka thënë ajo.
Përkrahje këtij projektligji i kanë dhënë edhe partitë opozitare. Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në agjendën legjislative ky projektligj është paraparë të vijë në mars në Kuvend.
“Për iniciativën në fjalë jam për dhe mendoj se ruajtja e personelit akademik është gjë shumë e madhe dhe të njëjtit ndihmojnë në procesin e akreditimit. Në agjendën legjislative ky projektligj është paraparë të vijë në mars në Kuvend. Për këtë temë mbështetjen tonë e ke. Ne kemi pasur këtë debat edhe rreth RTK-së”, ka thënë Tahiri.



