Tahiri: Me një Shqipëri të fortë në arenën ndërkombëtare, kemi një Kosovë të fortë në agjendën integruese

05 prill 2022 | 20:53

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri po qëndron për vizitë në Shqipëri, ku sot ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të Shqipërisë.

Në Kuvendin e Shqipërisë, në konferencën për media bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Tahiri ka theksuar se bashkëpunimi bilateral mes dy parlamenteve, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, në tema që lidhen me nisje legjislative dhe diplomaci parlamentare janë tepër me rëndësi.

Ai ka treguar për temat që kanë diskutuar dhe që duhet të trajtohen nga të dyja vendet.

“Ndihma e Parlamentit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO; Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës përmes ndikimit që Kuvendi i Shqipërisë ka në këtë institucion; Bashkëpunimin energjetik”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se është tepër me rëndësi që iniciativat kombëtare, si ajo e ndërtimit të hekurudhës, lehtësimit të komunikimit mes dy shteteve të jetësohen. “E kemi një këngë ‘Në tren për Prizren’ pse mos ta kemi ‘Në tren për Durrës'”, ka thënë Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka theksuar se sa më e fortë që është Shqipëria në rrafshin ndërkombetar, aq më e fortë është Kosova në agjendën e vet integruese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea do të jetë e kaluara, e ardhmja do të…