Në Ditën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, Kurti pret në takim komisionin qeveritar
Në Ditën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri Kurti ka vlerësuar procesin e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, për rëndësinë që ka për të ardhmen e të mbijetuarve dhe për të gjithë shoqërinë.
Ai konfirmoi vullnetin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e mandatit të këtij komisioni.
Sipas një njoftimi për media, në këtë takim është biseduar për mbarëvajtjen dhe sfidat e këtij procesi, si dhe domosdoshmërinë e angazhimit të përbashkët për nxitjen e aplikimit nga personat e mbijetuar, në këtë proces plotësisht konfidencial.
Po ashtu u theksua se sfidë e procesit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, mbetet stigma për dhunën seksuale, që pengon të mbijetuarat/it në realizimin e kësaj të drejte të garantuar me ligj.



