Shala: Pushteti po përpiqet ta shmangë një problem të madh
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka quajtur antiligjore dhe antikushtetuese përpjekjen e Lëvizjes Vetëvendosje për ta formuar një komision hetimor parlamentar i cili do t’i hetonte çështjet e energjisë elektrike në vend gjatë periudhës 16-vjeçare, pra që nga viti 2006.
Nënkryetari i Kuvendit nga LDK-ja, Kujtim Shala, ka thënë se është e qartë se pozita po mundohet ta shmangë një problem të madh, pasi beson se pretendimet e opozitës për keqpërdorime në situatën e krizës energjetike janë të sakta.
“Ju nuk hetoni sepse jeni shumicë. A e kuptoni? Kur të ktheheni në një pakicë, do ta hetoni shumicën. Ndryshe s’ka kurrfarë logjike. Pse? Sepse askush nuk e heton veten. Pra, kur ka pretendime, atëherë ka edhe një qëllim: që ta zbulojmë të vërtetën. Ndoshta këto pretendime janë krejtësisht të pasakta, dhe ky s’është problem i madh. Por çka nëse këto pretendime janë të sakta? Atëherë ky është problem i madh. A po përpiqeni ju ta shmangni këtë problem? Kjo është e qartë”, ka thënë Shala.
Për çështjen e 40 nënshkrimeve me të cilat thirret seancë e Kuvendit ku synohet formimi i një komisioni parlamentar, Shala e ka pasur një interpretim të ndryshëm nga pozita.
“Kushtetuta nuk thotë që kjo është e drejtë e opozitës, por kjo nënkuptohet, sepse opozita asnjëherë s’mund të bëhet shumicë”, ka thënë Shala, duke shtuar se nuk ka kuptim që legjislatura aktuale e Kuvendit të hetojë çështje që kanë ndodhur vite më parë.
“E tani, pse bëhen hetimet. Ju thashë që ky grup i deputetëve dëshiron t’ju hetojë ju. Pra kjo legjislaturë ka kuptim t’i hetojë institucionet në këtë mandat kushtetues, nuk ka kuptim të hetojë çështje të cilat kanë ndodhur vite më parë. E dini pse? Sepse atë mund ta vendosë vetëm shumica”, ka thënë ai.
Në atë rast, në rrafshin politik, Shala ka thënë se këtë mjet “një shumicë e sotme që dje ishte opozitë, mund ta përdorë kundër opozitës së sotme – politikisht, ta përndjek politikisht, e që sot është pakicë”.



