Bideni ‘thumbon’ Putinin në ndejën me gazetarë: Mund të bëni humor me mua, nuk shkoni në burg

02 maj 2022 | 13:49

Pasi ishte anuluar për dy vjet për shkak të pandemisë, në Uashington është zhvilluar darka e Shtëpisë së Bardhë për korrespondentët.

Në mesazhin e tij, presidenti Joe Biden ka folur për gazetarët që raportojnë nga lufta në Ukrainë, duke theksuar se në ditët e sotme, shtypi i lirë ka më shumë rëndësi se kurrë.

Në darkë kanë marrë pjesë gazetarë, drejtues të medias, zyrtarë të administratës dhe shumë personazhe të njohura të jetës publike në vend.

Presidenti Joe Biden e ka nisur me batuta rreth moshës së tij, anketat që vlerësojnë punën e administratës si dhe mbi mediat kritike. Por, gjithçka ka marrë një ton tjetër, kur Bideni ka folur për gazetarët që raportojnë nga lufta në Ukrainë.

“Ne të gjithë e kemi parë guximin e popullit ukrainas për shkak të guximit të gazetarëve amerikanë në këtë dhomë dhe kolegëve tuaj në mbarë botën, që janë në terren, që kanë marrë në dorë fatet e tyre. Ka një dezinformim masiv në rritje, ku e vërteta varroset nga gënjeshtra dhe gënjeshtrat jetojnë si të vërteta. Një gjë është e qartë shtypi i lirë është më i rëndësishëm se kurrë”, ka thënë Bideni.

Nëpërmjet humorit Bideni ka dhënë  edhe një mesazh për presidentin rus, teksa i ka dhënë komedianit Trevor Noah se mund të bënte batuta me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe “ai nuk do të shkonte në burg, si në Moskë”.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë është themeluar në vitin 1914 dhe ka zhvilluar darka pothuajse çdo vit që nga viti 1921, për të festuar me gazetarët që mbulojnë presidencën. Darka vjetore mbledh fonde për bursa universitare.

Trumpi ishte i pari president amerikan që nuk ka marrë pjesë për 4 vjet në këtë aktivitet. Përpara tij, edhe Ronald Reagan nuk  ka marrë pjesë në një darkë të tillë pasi po merrte veten pas një atentati ndaj tij në vitin 1981. /VOA

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy komuna në pjesën gjermanishtfolëse të Zvicrës po e “sanksionojnë”…