Shefes së BE-së i vazhdohet mandati, qëndron në Kosovë edhe 20 muaj
Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) ia ka zgjatur mandatin shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, deri më 29 shkurt 2020.
“Mandati i Nataliya Apostolovës si përfaqësuese speciale e Bashkimit Evropian është zgjatur për 20 muaj, deri më 29 shkurt 2020”, ka bërë me dije Bashkimi Evropian.
Apostolova është emëruar si përfaqësuese speciale më 4 gusht 2016, raporton Gazeta “Alo”.
Për 20 muaj janë vazhduar edhe mandatet e përfaqësuesve specialë të BE-së në Azinë Qendrore, Bririn e Afrikës, Sahelin, Kaukazin Jugor dhe krizën në Gjeorgji.
Mandati i përfaqësuesit të Bosnje dhe Hercegovinës i është vazhduar për 14 muaj.
Përfaqësuesit specialë promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe shtete të caktuara, si dhe çështje me interes të veçantë për BE-në.
Ata luajnë një rol aktiv në konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sundimit të ligjit. Përfaqësuesit e parë të BE-së u emëruan në vitin 1996.
Aktualisht, tetë përfaqësues specialë mbështesin punën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Federica Mogherini.
Këto janë gjashtë të lartpërmendura dhe përfaqësues të posaçëm për të Drejtat e Njeriut dhe procesin e paqes në Lindjen e Mesme.